Haxhiu: Qeveria Kurti në shërbim të qytetarëve, jo të vetvetes

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar pas miratimit për shfuqizimin e vendimit për rritjen e pagave nga Qeveria e Kosovës.

Ajo, thotë se Qeveria e Kosovës, në krye me Albin Kurtin, do të punojë për qytetarët e Kosovës e jo për veten.

“Dy vendime të padrejta u shfuqizuan në mbledhjen e Qeverisë. Së pari, vendimi i kundërligjshëm i ish Qeverisë për ngritjen e pagave për vete. Ky vendim nuk do të ketë efekt juridik për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i dytë që u shfuqizua, ishte ai për pagat që përfitonin kabinetet e ish Qeverive, pas mandatit. Këto vendime, janë mesazh i qartë se Qeveria Kurti do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të vetvetes”, ka shkruar Haxhiu, transmeton Koha.net.

Reklama e sponzorizuar

“Pagat kthehen me rregullimin e mëhershëm. Ky vendim nuk ka efekt në Gjykatën Kushtetuese e as në sistemin juridik”, tha sot kryeministri Kurti.

Gjithashtu, janë shfuqizuar të gjitha vendimet për emërimet e koordinatorëve nacionalë.