Një shtetas kinez 28-vjeçar, një femër 27-vjeçare studente në afërsi të Romës dhe një burrë 39-vjeçar i punësuar në Milano gjatë ditës së djeshme u janë nënshtruar analizave në vend shkaku i dyshimit se janë të prekur me koronavirus, megjithatë analizat prapë treguan se edhe ata janë negativë ndaj tij, shkruan gazeta “Zëri”.
Në Kosovë po vazhdojnë të raportojnë për raste të dyshuara me koronavirus. Ndonëse deri tani të gjitha rastet kanë dalë negative, mjekët thonë se dita-ditës mund të ketë të prekur me koronavirus edhe në vend. Deri më tani 17 persona janë dyshuar të jenë të prekur me virusin korona në vend. Këta pacientë kryesisht kanë udhëtuar nga shtetet në të cilat është përhapur koronavirusi, andaj duke u bazuar edhe në simptomat që kanë pasur ata janë testuar. Përveç këtyre rasteve, ka pasur edhe dhjetëra raste të tjera të dyshuara klinikisht në vend, qoftë në hyrjet kufitare, qoftë persona që më herët kanë udhëtuar për në Itali. Gjithë këta njerëz thuhet se janë mbajtur në mbikëqyrje të rregullt e që kanë rezultuar negativë ndaj koronavirusit.
Shpërthimi i virusit në Itali ka alarmuar kosovarët në këtë shtet, disa prej të cilëve kanë marrë rrugën për në Kosovë. E po ashtu përhapja e virusit alarm ka shkaktuar edhe te qytetarët në vend, të cilët kanë filluar t’u drejtohen barnatoreve private për t’i siguruar maskat dhe dezinfektuesit. Gjatë ditës së djeshme është raportuar për raste me koronavirus edhe në Maqedoninë Veriore e në Greqi. Rastet me këtë virus jashtë Kinës janë duke u rritur më shumë sesa brenda saj.