Kosova feston sot 12-vjetorin e Pavarësisë


Përvjetori i dymbëdhjetë i shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, do të shënohet me shumë aktivitete të organizuara nga institucionet qendrore dhe lokale.

Nën organizimin e Qeverisë, në orën 8:00 do të bëhet ngritja e flamurit në oborrin e Qeverisë, ku të pranishëm do të jenë dy udhëheqësit shtetërorë dhe komandanti i FSK-së. Derisa garda ceremoniale do të bëjë ngritjen e flamurit gjithashtu do të intonohet himni nga bendi i FSK-së.

Pas kësaj në ora 09:10, dy udhëheqësit shtetërorë do të bëhet vendosje kurorash te kompleksi memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, si dhe do të vendosen kurora lulesh te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke filluar nga ora 10:30, dhe nga ora 10:40 te varri i veprimtarit Adem Demaçi, te varrezat në Velani.

Reklama e sponzorizuar

Në ora 11:00 mbahet seanca solemne në Kuvendin e Kosovës, nën kujdesin e Vjosa Osmanit, kryetare e Kuvendit të Kosovës. Të pranishëm janë dy udhëheqësit shtetërorë, përfaqësues të familjeve Jashari e Rugova, deputetë dhe të ftuar ndërkombëtarë e vendorë.

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, do të bëjnë një vizitë në Forcën e Sigurisë se Kosovës, duke filluar nga ora 12:00, ku do t’iu drejtohen me një fjalë rasti trupave të FSK-së.

E gjatë ditës, konkretisht në orën 13:00, është paraparë të bëhet prezantimi i Obeliskut NEWBORN me pamje të re, ku do të paraqesë simbolin e përkrahjes dhe fuqizimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e ku do të marrë pjesë kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani.

Në mbrëmje duke filluar nga ora 18:00, në katedralen “Shën Nëna Terezë”, do të organizohet pritja shtetërore me rastin e 12-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë se Kosovës nën kujdesin e presidentit Hashim Thaçi, ku të pranishëm pritet të jenë udhëheqë s të lartë shtetërorë, të ftuar vendorë dhe ndërkombëtarë.

Edhe Ministria e Kulturës ka paraparë një varg aktivitetesh për shënimin e 12-vjetorit të pavarësisë. Në ora 11:00, në lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës do të hapet ekspozita “Kosova në arkivin e shtetit shqiptar”, ndërsa po në Muzeun e Kosovës, nga ora 12:00, hapet ekspozita arkeologjike “Kosova dhe Adriatiku”.

Në ora 13:00 në MKRS bëhet ndarja e çmimeve të letërsisë për 2019. Në ora 17:00 në Teatrin Kombëtar, Baleti Kombëtar i Kosovës jep shfaqjen “Ngjyrat e Vallëzimit”. Po në teatër, nga ora 20:00, nis koncerti festiv i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”. Në Kinemanë ABC, nga ora 19:00 nis java e filmit shqiptar.

Gjithashtu, edhe komunat kanë paraparë disa aktivitet.