Fluturat e erës në Golesh, në pjesën më të madhe të kohës, janë jashtë funksionit.
Ato ishin vendosur në këtë kodër me qëllim të prodhimit të energjisë, mirëpo për shkak të teknologjisë së vjetër nuk është se e ndihmojnë tregun me prodhim, raporton KTV.
Gjatë 2018, sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji, nga këto flutura është prodhuar energji vetëm 17 megavat orë.
Kjo, sipas Balkan Green Foundation, është shumë pak krahasuar me nevojat e Kosovës.
E njëjta situatë është edhe me hidrocentralet, pasi që, sipas KOSTT-it, prodhohet energji rreth 100 MW. Sipas Besfort Kosovës nga Balkan Green Foundation, ndërtimi i centraleve ujore vetëm po e shkatërron mjedisin.
Ndërkaq, për prodhimin e energjisë së ripërtritshme, qeveria e re planifikon që të arrijë cakun prej 25%.
Sipas organizatës INDEP, një gjë e tillë mund të arrihet vetëm për shkak që në këtë kategori hyn edhe djegia e drurit.
“Kjo është një praktikë e padrejtë sepse nuk ka asgjë të qëndrueshme me djegien e druve për ngrohje. Përkundrazi, shkakton depyllëzim dhe shkatërrimin e pyjeve dhe ekosistemeve të specieve të rrezikuara në Kosovë”, ka thënë Dardan Abazi nga INDEP.
Ndërsa, nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë dhe Investimeve Strategjike nuk janë deklaruar rreth hapave që do të ndërmerren për të arritur një prodhim më të madh të energjisë së ripërtritshme.