Banorët e fshatrave të Kamenicës, thonë që ka raste kur autoritetet komunale i shantazhojnë me ndalje të socialit
Është kohë mësimi, por nxënës nuk ka.
Madje, mësimi në shkollën “7 Shtatori” në Krilevë të Kamenicës, nuk është mbajtur që 3 javë.
Krejt kjo, pasi që prindërit po refuzojnë që fëmijët e tyre të shkojnë në qytetin e Kamenicës, ashtu siç e parashohin reformat për arsim në këtë komunë.
Sipas përfaqësuesit të prindërve në këtë fshat, Fatmir Cakolli, ata i kërkuan komunës që të paktën të vegjlit e tyre mësimin ta ndjekin në shkollën e fshatit.
“Ia kemi ofruar komunës që të paktën klasat prej 1-5 me qëndruar këtu, se po ju bie 50 km vajtje – ardhje cdo ditë”, thotë Fatmir Cakolli.
Por, Komuna e Kamenicës nuk po pajtohet me këta prindër.
Bile Drejtoria e Arsimit në këtë komunë, ka paditur plot 23 prindër, me arsyetimin që nuk janë kujdesur për shkollimin e detyrueshëm të fëmijëve të tyre.
Në mesin e të paditurve, është edhe Arsim Thaci, mësimdhënës në fshatin Koretin.
E drejtoria për arsim në këtë komunë, në këtë padi, përfshiu edhe drejtorin e shërbimeve publike, Ramadan Basha, drejtoreshën e shkollës në fshatin Koretin, Merita Keqmezin, e disa asamblistë që po i kundërshtojnë këto reforma.
Por, më keq se këta, thotë ta ketë pësuar një tjetër banorë i Krilevës.
Fetih Demolli, thotë që vet i dhjeti, jeton me një social 130 euro.
Por, edhe këtë social, Komuna e Kamenicës e kërcënoi t’ia ndalte, nëse ai nuk i pranon reformat për arsim.
Ndërkohë, këtë e mohojnë në Drejtorinë Komunale për Arsim, në Komunën e Kamenicës.
“Natyrisht që nuk është e vërtete, di raste që fëmijët nuk i kanë regjistruar në shkollën që komuna e ka caktuar për ta. Ka pasur kërkesa për lëshimin e vërtetimeve, por nëse fëmija nuk është duke e vijuar mësimin për të, dhe nuk është kompetencë e DKA që të lëshohen vërtetime”, thotë Mirhane Bislimi, U.D. Drejtore në DKA, Kamenicë.
E sa i përket padisë, Bislimi thotë që në padinë e parë janë paditur vetëm prindërit që punojnë në sektorin publik ndërsa në padinë e radhës, do të paditen edhe prindërit e tjerë.
“DKA obligohet që të kërkojë nga gjykata zhvillimin e procedurës kundërvajtëse, ndaj prindërve që nuk kujdesen për realizimin e përgjegjësive të tyre, e përgjegjësia e tyre kryesore, është shkollimi i obligueshëm apo kujdesi që fëmijët ta ndjekin mësimin” thotë Mirhane Bislimi, U.D. Drejtore në DKA, Kamenicë.
Ndërkohë, përfaqësuesit e fshatrave që nuk po mbajnë mësim, që përfshinë Koretinin, Topanicën, Krilevën dhe Busevatën, thonë që janë ftuar në një takim me ministren e arsimit, Hykmete Bajrami, mëngjesin e së martës.