Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës, që të suspendojë katër punonjës të Policisë së Kosovës, me arsyetim se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare në rastin e tragjedisë së Gjilanit, ku vdiqën pesë veta të familjes Bllaca.
Zyrtarët që do të suspendohen janë; komandanti i stacionit policor, zëvendës komandanti policor, shefi i operativë të stacionit policor dhe një zyrtar i stafit civil.
Gazeta Express ka mësuar nga burimet e veta se emrat e të suspenduarve janë Alban Ramushi – komandant, Naser Rrahmani – zëvendës komandant, Negovan Mihaljovic dhe Xhavit Azizi.
“Pas raportimit për incidentin në Gjilan ku dyshohej se ishte e përfshirë një zyrtare policore, Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes në lagjen ‘’Bujanina’’.
Ekipet e hetuesve të IPK-së në koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe zyrtarë të PK-së kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast me pasoja tragjike.
Bazuar në këto veprime hetimore dhe pas konsultave me Prokurorinë Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës pas grumbullimit të informacioneve dhe hetimit paraprak në stacionin Policor Gjilan i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e katër punonjësve të PK-së lidhur me këtë rast.
Rekomandimi për suspendimin e këtyre zyrtarëve (komandantit të stacionit policor, zëvendës komandantit policor, shefit të operativës të stacionit policor dhe një zyrtari të stafit civil) është bërë në interes të hetimit dhe të njëjtit janë duke u hetuar nga IPK me dyshimin së të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.“, thuhet në komunikatën e IPK’së adresuar mediave.
Pesë trupa të pajetë u gjetën pasditen e së martës në një shtëpi në Gjilan. Sipas dyshimeve të para nga vendngjarja, Valdete Bllaca, zyrtare e Policisë së Kosovës, ka shtënë me armë zjarri drejt prindërve dhe dy vëllezërve të saj. Deri më tani janë dhënë dy versione për vrasjet, një nga fqinjët e një nga organet kompetente. Ndërkaq, ende nuk dihen rrethanat që kanë çuar deri te vrasja e katërfishtë e më pas vetëvrasja në familjen Bllaca.