Diana Metushi-Krasniqi nga KDI-së në Interaktiv të KTV-së ka kërkuar që të pezullohen lejet për hidrocentrale derisa të bëhet vlerësimi i gjendjes së ujërave në Kosovë.
Nga analiza që ka bërë KDI-ja për hidrocentralin në Biti të Poshtme, Metushi-Krasniqi thotë se është parë që ka pasur lëshime procedurale.
“Që nga qershori i vitit të kaluar jemi përfshirë në problemin e banorëve të Bitisë së Poshtme. E për të analizuar këtë problem është dashur të analizohej se si është dhënë leja për ndërtimin e hidrocentraleve. Shqetësimet lidhen me përmbajtjen e vlerësimeve, që janë sipërfaqësorë dhe është neglizhuar komuniteti në Biti të Poshtme por edhe ambienti. Ministria ka lëshuar një pëlqim pa dhënë kushte specifike se si do të monitorohet”, ka thënë ajo.
Sipas saj asnjëherë nuk janë ngritë shqetësime për ndikimin në mjedis, dhe kjo është detyra e Ministrisë.
“Kemi nxjerrë disa rekomandime dhe ajo çfarë duhet të ndodhë është që Ministria të mos lëshojë leje pa e vlerësuar gjendjen e ujërave. Pasi raportet tregojnë se nuk e kemi idenë për ujërat nëntokësore. Ne jemi në krizë të ujërave të pijshëm, e na mungon edhe cilësia edhe sasia. Jemi në një situatë ku po shpresojmë se ministria do të rrisë inspektimet në terren dhe në rastin kur identifikohet një rast ku rrjedha e lumit është ndërprerë”, ka thënë Metushi-Krasniqi.
Ajo thotë se investitori i ka të gjitha lejet dhe pëlqimet për të bërë një investim në Biti dhe kjo ka sjellë një situatë të tensionuar ndërmjet investitorit dhe banorëve.
Sipas saj Kosovës i mungojnë pikat për grumbullimin e ujërave, pasi sipas brenda 24 orëve ujërat derdhen jashtë territorit të Kosovës.
Metushi-Krasniqi ka thënë gjithashtu se mobilizimi qytetarë ka qenë shëmbëlltyrë në mbrojtjen e lumenjve.
Ajo ka treguar rekomandimet që ka bërë KDI-ja me raportin e fundit, i cili ende nuk është publikuar.
“Rekomandimet kryesore janë që të pezullohen lejet për ndërtimin e hidrocentraleve, duhet të bëjë një studim i prurjeve ekologjike të ujërave. Duhet të bëhet një vlerësim i kapaciteteve ujore, të kategorizohet shfrytëzimi i ujërave, MMPH-ja të hartojë udhëzimin administrativ për shqyrtimin e raporteve të vlerësimit të ndikimeve në mjedis, udhëzimi administrativ duhet të jetë konform Samitit të Tokios, udhëzim administrativ për përcaktimin e ekspertëve të licencuar”, ka thënë ajo.
Metushi-Krasniqi ka bërë thirrje për bashkëpunim ndër institucional, gjë që sipas saj deri më tash ka munguar.
“Gjatë gjithë kohës faji është bartur ndërmjet Ministrive dhe duhet të krijohen mekanizma të bashkëpunimit ndër institucional dhe kërkojmë. Me shumë seriozitet duhet të trajtohet projekti për Ibër-Lepencin”, ka thënë ajo.