Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka bërë të ditur sot se ia ka përcjellë deputetëve të Kuvendit letrën e kryeministrit Albin Kurti lidhur me marrëveshjen që në vitin 2013-të kishte nënshkruar tash presidenti i vendit, Hashim Thaçi me ish-sekretarin e NATO’s.
“Meqë në letrën e tij, Kryeministri i vendit e nënvizon rëndësinë e informimit të të gjithë deputetëve të Kuvendit lidhur me këto dokumente dhe asnjëra nga to nuk janë cilësuar si të klasifikuara sipas ligjeve në fuqi, ju kam përcjellë deputetëve të plotë letrën e Kryeministrit Kurti, shkëmbimin e letrave të vitit 2013 ndërmjet Kryeministrit të atëhershëm z. Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Rassmusen, si dhe Opinionin ligjor të Zyrës së Kryeministrit mbi këtë shkëmbim letrash”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka thënë se respektimi i Kushtetutës është obligim i të gjithëve.
‘Respektimi i Kushtetutës së Kosovës është obligim i të gjithëve, siç është edhe ruajtja dhe kultivimi i partneritetit me partnerët tanë strategjikë. Në takimin e sotëm me komandantin e KFOR-it, kam vlerësuar kontributin e kësaj force dhe të NATO-s në 20-vjet të angazhimit të saj për një Kosovë të sigurt dhe e kam siguruar që mbesim të përkushtuar për një bashkëpunim të thellë. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është interes i yni shtetëror. Kërkesat që secili institucion në Kosovë të respektojë Kushtetutën dhe procedurat kushtetuese nuk do të duhej të keqinterpretoheshin si sulm apo kontestim ndaj NATO-s, por përkundrazi, si avancim të demokracisë e transparencës dhe respektimit të ligjit e kushtetutës në vend”, tha ajo