Për ndërmarrjen Trepça kërkohet monitorim i veçantë nga Kuvendi

Në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike është diskutuar lidhur me detyrat me prioritet dhe organizimin e punës së komisionit.

Kryetari i këtij komisioni, Endrit Shala tha se pas programit qeverisës duhet të krijohet edhe plani i punës së komisionit.

Shala tha se ky komision ka për mision edhe mbikëqyrjen e legjislacionit në disa fusha ekonomike, si dhe ka për obligim monitorimin e ndërmarrjeve publike dhe marrëdhënieve tregtare Kosovë-Shqipëri, raporton ksp.

Reklama e sponzorizuar

“Ideja e takimit të sotëm është vetëm t’i përcaktojmë objektivat në pikat e trasha se me cilat punë ne do të merremi si komision. Pasi që të marrim programin legjislativ pastaj në këto objektiva tona dhe detyra e punës sonë i plotësojmë. Kurs e sa i përket propozimit të deputetit Shala, edhe unë pajtohem që komisioni të monitoron ndërmarrjet publike, duke përfshirë edhe ndërmarrjen Trepça”, tha Shala.

Ndërsa, anëtari i komisionit nga PDK, Ferat Shala tha se ky komision duhet të ketë një monitorim të veçantë për ndërmarrjen Trepça, sepse sipas tij, është e vetmja ndërmarrje minerare dhe për këtë duhet një fokus i shtuar.

“Ndërmarrja Trepça, është e vetmja ndërmarrje minerare në Kosovë dhe është shoqëri aksionare, ku qeveria është aksionar. Specifat që i ka, e bëjnë që ne duhet të kemi një fokus të shtuar në raport me këtë ndërmarrje. Kemi edhe obligim ligjor që ne ta futemi si pikë të veçantë monitorimin e ndërmarrjes Trepça, sepse specifikat dhe sfidat që ka kaluar dhe po kalon kjo ndërmarrje, na obligojnë”, th eksoi Shala.

Kurse, anëtari tjetër i këtij komisioni nga LVV, Hekuran Murati tha se të gjitha ndërmarrjet publike janë të rëndësishme, andaj edhe Telekomi është në një gjendje të rëndë, siç tha ai, buzë falimentimit dhe meriton monitorim të veçantë.

Anëtari i komisionit nga AAK, Pal Lekaj tha se nuk mund të ketë planifikim të veprimit në komisionin parlamentar, pasi që nuk ka asnjë informatë se si do të bëhet fuzionimi i ministrive nga qeveria e re.

“Ne kot mund qesim në letër derisa nuk kemi një program qeverisës. Derisa nuk kemi asnjë draft të propozuar se si do të fuzionohen të gjitha këto Ministri në një ministri. Mendoj se sa më parë duhet ta ftojmë ministren Rozeta Hajdari, ministre e Ekonomisë, që të na prezantoj planin e Ministrisë së vet, si do t’i qaset fuzionimit të Qeverisë apo Ministrive në këtë rast. Dhe atëherë ne mund të bisedojmë saktë për planin e veprimit”, deklaroi Lekaj.

Të gjithë anëtarët u pajtuan që Komisioni për Ekonomi të nisë punën për shqyrtimin e projektligjeve që janë me rëndësi për vendin dhe ekonominë e saj.