Protestuesit me ultimatum për menaxhmentin e Trepçës

Më shumë se 100 persona kanë protestuar sërish sot para objektit të menaxhmentit të ndërmarrjes Trepça në Mitrovicë, duke shprehur pakënaqësitë e tyre me procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje.

Ata dhanë ultimatum që tre kërkesat e tyre kryesore, dorëheqja e menaxhmentit, bordit, si dhe anulimi i konkursit, të përmbushen deri sot në orën 14:00, në të kundërtën, paralajmëruan nga nesër protesta më masive para hyrjes së minierës në Stantërg.

Protestuesit bllokuan edhe sot për rreth gjysmë ore rrugën, duke pamundësuar kështu qarkullimin e automjeteve nga drejtimi i Prishtinës dhe Stantërgut për në qendër të qytetit të Mitrovicës, raporton ksp.

Reklama e sponzorizuar

Arsim Musa, në emër të këshillit protestues, ka bërë të ditur se në rast të mos përmbushjes së kërkesave të tyre deri në orën 14:00 të ditës së sotme, protestat do të vazhdojnë të mërkurën para objektit të min ierës së Trepçës në Stantërg, dhe do të jenë më masovike.

“Menaxhmentit i japim sot një ultimatum, që prej tash dhe deri në orën 14:00 të ditës së sotme, që të heqin dorë nga këto pisllëqet e mbrapshta…Kërkojmë nga ta që sot deri në orën 14:00 të marrim një përgjigje që e kanë anuluar konkursin ose ka dhënë dorëheqje menaxhmenti, ose është shkarkuar bordi. Përndryshe, dita e protestës fillon nesër, nëse nuk realizohen këto kërkesa tona dhe protesta fillon tek ndërmarrja Trepça në Stantërg”, ka thënë Musa.

Ndërkaq, menaxheri i Trepçës, Basri Ibrahimi, tha se konkursin mund ta anulojnë vetëm institucionet më të larta, nëse konstatojnë ndonjë shkelje të procedurave gjatë procesit të pranimit.

Ndërsa, sa i përket çështjes së dorëheqjes, ai nuk e sheh si zgjidhjen më të mirë, duke thënë se dorëheqja e tij nuk zgjidhë problemet sociale në Mitrovicë.

“Unë nuk kam të drejtë ta anuloj konkursin. Konkursin mund ta anuloj vetëm ndonjë institucion më i lartë se sa ne, në qoftë se konstatohet se është shkelur ndonjë procedurë ose ligj…Dorëheqjen nuk e shoh si ndonjë zgjidhje ose që i zgjidhë problemet sociale të Mitrovicës dhe as të Shalës. Jemi të vetëdijshëm që gjendja sociale në Mitrovicë është shumë e rëndë dhe kjo s’ka të bëjë fare me punën time”, theksoi Ibrahimi.

Protesta e cila ishte e qetë ka zgjatur gjysmë ore, ndërsa numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të policisë, duke përfshirë edhe njësinë për reagim të shpejtë, kanë vëzhguar gjatë gjithë kohës situatën.

Ndryshe, në procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje kanë aplikuar mbi 1 mijë e 700 persona, prej të cilëve janë pranuar 1 44, ndërsa sipas drejtorit Ibrahimi, ditët në vijim pritet të punësohen edhe rreth 100 persona tjerë.