Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, në fund të vitit 2017, saktësisht më 20 dhjetor vendosi që t’ia bëjë vetes një dhuratë për fundvit.
Kjo, pasi që pikërisht me këtë datë, Haradinaj në mbledhje të Qeverisë mori vendim që t’ia rris pagën vetes, duke mos përjashtuar edhe ministrat dhe zëvendësministrat.
Paga e Haradinajt deri në ditën e këtij vendimi kishte qenë rreth 1 mijë e 500 euro, ndërsa me vendimin e ri kjo pagë bruto i ishte ngritur 100 për qind e që i bie 2950 euro në muaj.
Nga ky vendim nuk ishin përjashtuar edhe disa punëtorë të Zyrës së Kryeministrit, shkruan FaktePlus.
Por, kishte edhe prej tyre të cilët nuk ishin përfshirë në këtë vendim, ndonëse punojnë në të njëjtin vend e institucion, pra në Kryeministri.
E, këta punëtorë duke u ndier të diskriminuar, fillimisht kishin mbajtur disa ditë greva, kurse më pastaj gjatë vitit 2018 kanë filluar edhe procedurë gjyqësore.
Punëtorët përmes përfaqësuesit të tyre ligjor, Artan Qerkini kishin inicuar padi për mbrojtjen nga diskriminimi nga marrëdhënia e punës.
Bashkëpunëtori i Shoqërisë së Avokatëve, SEJDIU & QERKINI, LLC, Taulant Hajdari ka thënë për FaktePlus, se padia e këtyre punëtorëve është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm më 11 tetor të vitit 2018.
“Procedura gjyqësore është inicuar me Padi për mbrojtjen nga diskriminimi nga marrëdhënia e punës dhe kompensim të dëmit, e dorëzuar dhe e protokoluar me datë 11 tetor 2018 pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti i Përgjithshëm, kurse me datë 07 nëntor 2019 është inicuar edhe një Padi tjetër pranë të njëjtës Gjykatë, me ç’rast kanë inicuar edhe punëtorët tjerë të cilët konsiderohen të diskriminuar nga vendimi i Zyrës së Kryeministrit për rritjen e pagave”, ka thënë ai.
Ai ka treguar edhe numrin e punëtorëve të cilët kanë inicuar padi.
“Në total numri i punëtorëve të cilët janë paraqitur pranë zyrës sonë për të inicuar padinë pranë organit kompetent është 69. Duhet të kemi parasysh që ky është numri i punëtorëve të cilët janë paraqitur pranë zyrës sonë”, ka deklaruar Hajdari.
FaktePlus ka mësuar se punëtorët të cilët kanë inicuar këtë padi kanë paguar nga 50 euro për përfaqësim të tyre nga avokati në Gjykatë.
E, këtë e kanë pranuar edhe nga në këtë zyre ligjore.
“Po, është e vërtetë që punëtorët për inicimin e padisë pranë organit kompetent kanë paguar nga 50 euro. Me sa kemi informata nga Zyra e Financave e kompanisë sonë, gjer më tani kanë paguar të gjithë punëtorët që kanë inicuar padinë”, ka thënë Hajdari.
Ndërkaq prej momentit të dërgimit të kësaj padie në Gjykatë, që nga viti 2018 Gjykata Themelore ende nuk ka marrë asnjë vendim për këta punëtorë.
Madje, përfaqësuesi i tyre ligjor në fund të vitit 2019 ka bërë kërkesë në Gjykatë për urgjencë të lëndës.
“Ne pasi kemi inicuar Padinë në Gjykatë, me datë 06 dhjetor 2019 kemi bërë edhe kërkesë për urgjencë të lëndës, pasi që kemi aluduar në atë se duke pasur parasysh ndjeshmërinë e lëndës, Gjykata duhet të ketë në konsideratë dhe të shqyrtojë të njëjtën me prioritet”, ka pohuar Hajdari.
FaktePlus, gjithashtu ka pyetur se kur pritet që kjo lëndë të zgjidhet, mirëpo Hajdari ka thënë se nuk mund ta dinë këtë, pavarësisht që kanë kërkuar që kjo lëndë të trajtohet me prioritet nga Gjykata.
“Sa i përket pyetjes suaj të fundit, ne nuk mund të u japim përgjigje sepse është në diskrecion të plotë të Gjykatës, si organ kompetent për vendosjen në mënyrë meritore lidhur me rastin në fjalë”, ka thënë ai, për FaktePlus.
Më 29 janar të vitit 2018 Agjencia Kundër Korrupsionit e ka shpallur të jashtëligjshëm vendimin për rritje të pagave nga ana e kabinetit qeveritar, të kryesuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj.
Kjo Agjenci, në opinionin e saj, ka thënë se zyrtarët e lartë publikë (kryeministri, zv.kryeministrat, ministrat dhe zv.ministrat) që kanë votuar këtë Vendim “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit ‘rast për rast’, dispozitat e caktuara që rregullojnë ‘Veprimet e ndaluara për zyrtarin e lartë’, si dhe me shumicën e dispozitave që përcaktojnë ‘Parimet e veprimit dhe mos veprimit të zyrtarit të lartë publik”.