Qerim Kelmendi, që dyshohet të jetë viktima e vrasjes në Pejë mesnatën e së mërkures, nuk kishte marrë ftesë nga Specialja, sipas Osman Kelmendit, njërit prej vëllezërve të tij.
“Qytetarët dhe gazetarët me të drejtë pyesin, por ai nuk ka qenë i ftuar”, ka thënë Kelmendi duke iu përgjigjur pyetjes së Grupit Koha nëse vëllai i tij kishte qenë në mesin e të fturave nga Specialja, si dëshmitar apo si i dyshuar.
“Po ta kishin ftuar, ai kishte me e bërë publike, do të prononcohej menjëherë. Kështu që, nuk ka qenë i ftuar”, ka thënë Kelmendi.
Kelmendi ka folur për KOHA-n në shtëpinë familjare të të ndjerit. Qerim Kelmendi dyshohet të jetë vrarë, e me pas djegur brenda veturës së tij në Pejë. Megjithatë, policia në Pejë ka bërë të ditur se identiteti i viktimës nuk mund të konfirmohet pa u lëshuar raporti i mjekësisë ligjore.
E brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore është bërë të ditur se janë në pritje të urdhrit të prokurorisë, pa të cilin nuk mund të niset autopsia, ndonëse trupi i pajetë është pranuar.
Osman Kelmendi ka thënë se vëllai i tij nuk ka pasur telashe me askend dhe se shumë medie ia kanë shtruar këtë pyetje.
“Ka qenë i hapur, ka mujt me thënë po i frikësohem atij, por ai ka lëvizur shumë lirshëm”, ka thënë ai.
“Krejt çka dijmë është që krejt veprimtaria e Qerimit është veprimtari patriotike për çlirimin e Kosovës. Më 1997 është plagosur, bashkë në një aksion me Ilir Konushevcin, Adrian Krasniqin. Mendoj se kjo vrasje është kryekëput kundër shtetit dhe lirisë së Kosovës. Këtë mund ta bëjnë vetëm armiqtë e shtetit të Kosovës dhe armiqtë e UÇK-së”, ka thënë ai.