Qeveria Kurti s’i denoncon vendimet e jashtëligjshme të Qeverisë Haradinaj

Veç dhjetë ditë përpara se ta linte Zyrën e kryeministrit, Ramush Haradinaj ka nënshkruar një vendim, nëpërmjet të të cilit Bahri Berishës i jepej një mandat i ri si drejtor i Doganës. 

Vendimi nuk kishte bazë ligjore. Mandati i tij i parë do të përfundonte më 8 shkurt, pesë ditë pasi Haradinaj duhej ta lëshonte Zyrën, dhe në vend të tij do të ulej Albin Kurti. 

Kryeministri i ri konsideroi se pararendësi veproi jashtë ligjshëm. Kjo, meqë neni 5 i Kodit Doganor saktëson se ministri i Financave duhet të shpallë konkurs publik për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Doganës, shkruan sot Koha Ditore.

Reklama e sponzorizuar

Dhe, pas intervistimit, do të duhej që komisioni të propozonte emrin e kandidatit dhe ministri i Financave t’ia propozonte atë për miratim Qeverisë. Meqë procedura që kërkon ky kod nuk ishte ndjekur, Kurti caktoi një ushtrues detyre derisa të hapej konkursi dhe të zgjidhej drejtori. Megjithëkëtë, ai nuk tha nëse për vendim të jashtëligjshëm do ta denoncojë tek organi i akuzës Haradinajn. 

Një numër vendimesh të kësaj natyre kanë ndërmarrë edhe ministrat. Ehat Miftaraj është drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD). Ai ka shtruar nevojën që vendimet e jashtëligjshme të përcillen edhe në Prokurori.