Qeveria e Kosovës është mbledhur në Prevallë për të harmonizuar programin qeverisës.
Kjo është mbledhja e parë e ekzekutivit kosovar e këtij lloji, raporton KTV.
Në Prevallë tashmë janë parë kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministrat Avdullah Hoti Haki Abazi. Të pranishëm janë edhe disa ministra, ndërsa asnjëri prej tyre s’ka pranuar të flasë për mediat.
Por në një postim në Facebook, zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti, ka thënë se sot do të diskutohet mbi programin qeverisës të koalicionit qeveritar, në të cilin reflektohet marrëveshja VV-LDK.
“Sot, në takim pune në Sharr me gjithë kabinetin qeveritar, diskutojmë Programin Qeverisës 2020-2023. Në këtë program reflektohet plotësisht marrëveshja e koalicionit, ku janë të specifikuar masat që do të ndërmarrim për të rritur punësimin, për kujdes social gjithëpërfshirës, për arsim e shëndetësi cilësore, rend e ligj për të gjithë, mbështetje për bujqësinë, diplomaci të fortë, kujdes për mërgatën tonë e çështje tjera”, ka shkruar ai.
Kjo është mbledhja e parë gjithëditore e Qeverisë Kurti, e në të pritet të finalizohet programi qeverisës.
Është bërë pothuajse një muaj që kur u formua Qeveria Kurti.
Ende nuk dihet nëse ka filluar të mbahet mbledhja, pasi që gazetarët nuk janë lejuar të hyjnë në hapësirën ku është mbledhur kabineti qeveritar.