Reagimet pas paralajmërimit të Kurtit për heqjen e taksës

Paralajmërimi i kryeministrit Albin Kurti për heqjen pjesërisht të tarifës ndaj mallrave serbe, nuk ka gjetur përkrahjen amerikane.

I dërguari i posaçëm i presidentit Donal Trump për dialogun, Richard Grenell, e ka cilësuar veprim gjysmak, duke kërkuar heqjen e plotë të saj, raporton KTV.

Por, Bashkimi Evropian ka mirëpritur paralajmërimin e kryeministrit Kurti.

Reklama e sponzorizuar

Në një deklaratë për media nga Shërbimi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, thuhet se ky veprim jep mundësi për vazhdim të dialogut Prishtinë-Beograd.

Por, mospajtime për heqjen e plotë të tarifës kanë edhe partitë në pushtet, Vetëvendosje-LDK.

Deputeti i kësaj të fundit, Armend Zemaj thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës duhet të jetë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.

Shoqëria civile kërkon vendimmarrje të kujdesshme nga Qeveria e Kosovës, sa i përket heqjes së taksës.

Nga Amerika, presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar nga kryeministri Kurti heqje të taksës.

Ai ka thënë se pa humbur kohë duhet të merren vendimet e duhura strategjike të cilat i japin fund izolimit.

“Kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe e vendimeve të mençura, e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet tona speciale me SHBA-në. Mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Pa koordinim me partnerin qeverisës, LDK-në, kryeministri Albin Kurti, të enjten ka prezantuar heqjen e pjesërishme të taksës nga 15 marsi, duke renditur edhe disa kushte të tjera për Serbinë.