Anulimi i tenderi 110-milionësh për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, pritej të ishte një nga vendimet e para të Qeverisë Kurti. Mirëpo, duket se ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhikut, i ka dalë pak punë ligjore me këtë tender, shkruan Gazeta Insajderi.
Sekretari i kësaj ministrie, Betim Reçica, ia ka dërguar një kërkesë ministrit Abdixhiku dhe kryeministrit Albin Kurti, duke iu kërkuar që të ndërmarrin veprime të menjëhershme ligjore sipas opinionit ligjor të Zyrës së kryeministrit.
Ai në letrën e tij, ka shkruar se paraprakisht është e nevojshme heqja e pengesave ligjore, respektivisht marrja e një vendimi të komitetit drejtues ndërministror. Ndërsa thotë se zyra e tij si dhe departamentet përgjegjëse të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit janë të gatshëm të veprojnë në anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit menjëherë pas marrjes së një vendimi nga ana e komiteti drejtues të ministrave në lidhje me aktivitetin e apostrofuar.
Ashtu siç ju kemi njoftuar lidhur me natyrën juridike të projektit në mbledhjen e mbajtur të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më datën 28.04.2017 përmes vendimit numër 01/143 është aprovuar korniza afatmesme e shpenzimeve 2018-2020 dhe shpallur në gazetën zyrtare.
Po në këtë mbledhje është caktuar si organ ‘ad hoc’ për projektin në fjalë që lidhet me vendimin e qeverisë me numër 08/143 për krijimin e komitetit drejtues ndërministror për zhvillimin e projektit autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.
Ky komitet ndërministror ka autorizimet ligjore sipas vendimit që ndërmerr në veprimet ligjore për projektin Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, theksohet në kërkesë.
Tutje Reçica, ka thënë se opinioni i lidhur nuk ka ndërmarrë në konsideratë asnjë nga vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe dokumentet relevante që sekretarin e përgjithshëm e bëjnë të paautorizuar për ta ndaluar këtë aktivitet si organ inokos, për faktin se ZKA, në asnjë rrethanë nuk mund t’i anulojë vendimet e Qeverisë, respektivisht KDN.
“Gjatë përgjigjes së opinionit nuk janë marrë në konsideratë farë faktet vendimtare dhe natyra juridike e vendimeve të qeverisë dhe komitetit drejtues ndërministrorë. Nga shkresa e interpretimit shihet se nuk janë marrë në konsideratë dhe nuk janë zbatuar parimet e zyrës së kryeministrit të shprehura nga zyra ligjore e kryeministrit në udhëzuesin për shkrimin e ‘opinioneve ligjore’.
Në këtë udhëzues përcaktohen qartë parimet mbi bazën e të cilave lëshohet opinioni ligjor nga ZKM respektivisht departamenti ligjor. Nga ky lëshim ka ardhur deri të pasqyrimi jo i saktë i shpjegimit të veprimeve dhe ndarjes së autorizimeve publike”, thuhet tutje në kërkesën drejtuar Abdixhikut dhe Kurtit nga Reçica.
Kujtojmë se ditë më parë ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar urgjentisht nga organet përgjegjëse të Ministrisë që t’i shikojnë mundësitë ligjore për anulimin e tenderit për ndërtimin e autostradës për Gjilan – Banullë – Dheu i Bardhë.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se ky projekt do të mund të realizohet vetëm pas miratimit të buxhetit për vitin 2020.
Ministri Abdixhiku kishte shtuar se Qeveria nuk është kundër kësaj autostrade, por ajo duhet të ndërtohet duke respektuar ligjet në fuqi dhe me kosto sa më të përballueshme për buxhetin e shtetit.
Ndërkaq, ai gjithashtu ka premtuar se do të shfuqizohet rregullorja e nxjerrë nga ish-ministri Pal Lekaj, për kompetenca për këshilltarët e ministrit.