AKP i lëshon me qera pronat në kontest gjyqësor të INA-Zagrebit

Agjencia Kosovare e Privatizimit -(AKP)

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shpallur konkurs për qiradhënie për 23 prona të ndërmarrjes INA-Zagreb, ani pse ky rast është në kontest gjyqësor prej vitit 2006 në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme. Pretendime ndaj këtyre pronave ka shteti kroat. Ky konkurs ka nxitur reagime të Ambasadës Kroate dhe nga përfaqësuesit e “INA-Zagreb” në Kroaci.

Agon Sinanaj

Mbi 20 prona të ndërmarrjes “INA-Zagreb” janë dhënë me qera nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ani pse bëhet fjalë për një ndërmarrje që është në kontest gjyqësor prej vitit 2006-t. Palë në procedurë është vetë shteti kroat, meqë INA-Zagreb është ndërmarrje në pronësi shtetërore.

Reklama e sponzorizuar

Konkursi i shpallur nga AKP me 6 tetor të vitit 2019-t ka nxitur reagime të Ambasadës kroate në Kosovë si dhe të përfaqësuesve të “INA-Zagreb” në Kroaci.

Në dokumentet që posedon Buletini Ekonomik, bëhet fjalë për 23 prona të INA-Zagreb që janë lëshuar me qera, pothuajse nëpër të gjitha qytetet e Kosovës. Sipas konkursit të AKP-së, këto prona janë lëshuar me qera për një afat prej pesë vitesh, me mundësi vazhdimi.

Përfaqësuesi i INA-s për Kosovë, Adin Setic, në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, ka thënë se janë të shqetësuar me veprimet e fundit të AKP-së, meqë ky rast është duke u trajtuar në gjykatë.

Ai ka treguar për dhjetëra takime me zyrtarët e AKP-së për ta zgjidhur këtë çështje, ku të përfshirë kanë qenë edhe nga ambasada kroate.

“Kemi pasur takime me shumë zyrtarë në AKP, përfshirë edhe Drejtorin aktual Valon Tolaj. Kemi takuar edhe kryeminitrin Ramush Haradinaj dhe Kadri Veselin. Ne kemi propozuar një marrëveshje jashtë-gjyqësore, por nga askush nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë ai.

Ndërsa për konkursin e fundit Setic thotë se janë të njoftuar, por janë duke pritur që së bashku me ambasadën t’i ndërmarrin veprimet ligjore në dispozicion.

Aktualisht, rasti është në Dhomat e Posaçme në Gjykatën Supreme.

Buletini Ekonomik ka pyetur në këtë gjykatë se a ka pasur urdhër ndalimi ndaj AKP-së për pronat e INA-s, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkaq, në AKP thonë se kjo agjenci në bazë të ligjit është instanca e vetme që menaxhon me pronat shoqërore. Ata kanë pranuar se ka pasur disa takime me përfaqësuesit e ambasadës dhe INA-s.

 “Jo, deri në këtë moment në AKP nuk ka ndonjë ndalesë nga Dhomat e Posaçme e Gjykatës Supreme, me karakter ndalues apo kufizues në lidhje me Administrimin e kësaj ndërmarrjeje”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Zyra për Informim e AKP-së.

 “Faktikisht, numri i takimeve ka qenë shumë më i vogël, mirëpo është e vërtetë që ka pasur disa takime me përfaqësuesit e INA-Zagreb, dhe Ambasadës Kroate në Kosovë, dhe në këto takime atyre iu është bërë e ditur që Agjencia nuk mund të marrë parasysh marrëveshje jashtëgjyqësore ku parashihet të hiqet dorë nga një pjesë e aseteve të ndërmarrjes shoqërore, e për të cilat duke ju referuar sërish nenit 5 të ligjit të Agjencisë, AKP ka kompetenca ekskluzive për t’i menaxhuar ato prona, në mirëbesim dhe në tërësi”. /Buletini Ekonomik/