Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar lidhur me mosmarrjen e mandatit të deputetes pas zëvendësimit të deputetëve me ata të cilët kanë marrë poste në kabinetin qeverisës.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nuk do ta besonte asnjëherë që mund ta fitonte mandatin me vota e të mos e marr postin vetëm për shkak që është grua.
Kjo sipas saj, për shkak të nenit brenda Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që thotë se zëvendësimi i deputetëve duhet të bëhet përbrenda gjinisë.
“Nuk do ta kisha besuar për cilëndo punë e ironikisht po ndodhë në Kuvend të Republikës. Sot KQZ ka certifikuar deputetët e rinj që zëvendësojnë ata që u tërhoqën për mandatet në ekzekutiv. Pavarësisht se jam me vota para dy burrave të tjerë kandidatë, sipas KQZ ata bëhen pjesë e Kuvendit e unë jo. Kjo për shkak të njëfarë neni absurd brenda Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që thotë se zëvendësimi i deputetëve duhet të bëhet përbrenda gjinisë. Të gjithë e dimë që ligji, përfshirë ky nen është shkruar për ta rritur prezencën e deputeteve në parlament. Dhe çka ndodhë tash? Pikërisht e ndëshkon. Saktësisht e pamundëson rritjen e 30 %. Përderisa ligji flet për minimumin e 30% të deputeteve në parlament dhe jo ruajtjen e kësaj shifre, në fakt kjo po bëhet barrierë që në Kuvend të ketë më shumë se 30% gra”, ka shkruar ajo.
Sipas Kurtit, kjo është në kundërshtim me frymën kushtetuese e parimet ndërkombëtare dhe ligje të tjera që janë shkruar e miratuar për përparimin e të drejtave të grave, por është edhe në kundërshtim me vetë konceptin e barazisë si synim e rrugëtim.
Sipas saj, ky nuk është vetëm problem ligjor por thellë politik.
“Nëse e lejojmë këtë të ndodhë është që ta shohim diskriminimin e kulluar edhe në institucionet më të larta. Andaj nuk është e pranueshme dhe do të kërkoj drejtësi”, ka shkruar ajo.“Kjo, natyrisht nuk ka të bëjë me kandidatët e tjerë (burra) të Lëvizjes që janë në radhë pas meje me vota. Përkundrazi, për ta, sikurse për çdo kandidat të LV kam veçse respekt maksimal e kolegialitet korrekt. Kjo ka të bëjë ekskluzivisht me nenin diskriminues i cili mëton të promovojë praktika nxitëse e përfundon duke përjashtuar”.