Vazhdon presioni për largime nga puna në Aeroport

Kreu i Shoqatës Sindikale të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Bashkim Latifi, thotë se po vazhdon presioni nga menaxhmenti i Aeroportit, pas largimit të 23 punëtorëve nga puna, ditë më parë.

Latifi ka folu për presion të madh në punë nga menaxhmenti.

“Me 4 prill është koha e nënshkrimit të kontratave të reja. Ka fillu matja e përformancës për punëtorët dhe po shënjestrohen vetëm ata punëtorë që kanë qenë pjesë e protestave”, ka thënë Latifi, derisa ka shtuar se gjendja te punëtorët është shumë e tensionuar pas presioneve të vazhdueshme.

Reklama e sponzorizuar

“Ka edhe raste kur punëtorëve ju kërkohet që të largohen nga sindikata nëse duan të mbesin në punë”, shton Latifi.

Për t’i informuar rreth kësaj gjendje, Sindikata ka dërguar letra tek të gjitha institucionet, por Latifi nuk i përjashton sërish protestat.

Në gjashtë muajt e fundit, numri i punëtorëve të larguar nga puna në ANP ka arritur në 29.

Sindikata, për situatën e krijuar, ka kërkuar ndihmë edhe nga Inspektorati i Punës.

Gjatë janarit, janë larguar nga puna edhe tre punëtorë të tjerë të ANP. Atyre u është thënë që duhet të zhvendosen në sektorin e mirëmbajtjes ose do t’u ndërpritet kontrata.

Ndryshe Aeroporti është dhënë përmes partneritetit publiko-privat, që i bie se kompania ka detyrime edhe ndaj punëtorëve. /Buletini Ekonomik/