Veseli reagon pas vendimit të Kurtit, thotë se ai ja vodhi idenë

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, ka reaguar pas vendimi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për largimin me kushte të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Veseli thotë se Kurti nuk i respektoi të drejtat e autorit kur e mori këtë vendim.

“Asgjë e re nga Albini! Të paktën, ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse, vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pat refuzuar”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.

Ai thotë se Kurti sa ishte në opozitë kishte ideale tjera, ndërsa tani që mori pushtetin po e djeg veten më shpejt se sa që kanë pritur të tjerët.

Reklama e sponzorizuar

“Si opozitar, ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Sot, kur udhëheq Qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët”, shton ai.

E mendonte veten si më të mençurin dhe më të fortin; sikur të ishte vetë Kosova. Po del që është edhe i padijshëm, edhe i dobët, edhe mashtrues, dhe që Kosova në krye me të mund të rrezikohet seriozisht”

Kurti vendosi të largonte taksën për lëndën e parë që vjen nga Serbia dhe Bosnja prej datës 15 mars. Ndërsa me 1 prill do të hiqet taksa tërësisht në një periudhë 90 ditore. Nëse Serbia vazhdon politikën e saj ndaj Kosovës, atëherë Kurti ka thënë se do vendosë reciprocitetin prej datës 15 qershor.