Vuçiq: Nuk ka bisedime për status pa heqjen e taksave

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Serbia nuk do të bisedojë me Kosovën për status derisa nuk tërhiqen taksat ndaj prodhimeve serbe.

“Ne mund të bisedojmë për gjëra të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, nuk kemi problem me këtë, por nuk do të bisedojmë për status derisa nuk hiqen taksat”, ka thënë Vuçiq duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve.

Ai ka shtuar se “është qesharake që po flitet për taksa në shekullin e 21, sepse duhet të ekzistojë tregtia e lirë”, duke pretenduar se “pret” që ky problem të zgjidhet.

Reklama e sponzorizuar

I pyetu se a do të takohet me përfaqësuesit e Kosovë, Vuçiq ka përkujtuar se sot në mëngjes presidenti Thaçi ka marr pjesë në nënshkrimin e dokumentit për hekurudhë, dhe se aty kanë qenë edhe përfaqësuesit e delegacionit kosovar, por se nuk di se a do të vijë pasdite Albin Kurti në Munih.

“Nëse mund t’i zbusim pak tensionet, kjo është mirë, por mendoj se për këtë duhen hapa konkrete. Ne do të punojmë shpejtë në këtë drejtim”, ka thënë Vuçiq.

I pyetur të komentojë atë që Ramush Haradinaj e ka kërcënuar Albin Kurtin, nëse ky i heqë taksat ndaj prodhimeve të Serbisë, Vuçiq është përgjigjur: “Nuk më intereson”./Insajderi/