Bilanci total i vdekjeve nga koronavirusi në Itali është rritur për 889, ka thënë të shtunën Agjencia për Mbrojtje Civile, që është edhe dita e dytë me numrin më të madh të vdekjeve që kur epidemia u shfaq në këtë vend më 21 shkurt.
Numri total i vdekjeve ka mbërritur në 10,023, deri më tani shifra më e lartë nga çdo vend në botë, raporton Reuters.
Shifrat më të larta të vdekjeve në vend u regjistruan të premten, kur u raportua për 919 persona të vdekur. Para kësaj, të enjten u regjistruan 712 vdekje, 683 të mërkurën, 743 të martën dhe 602 të hënën, transmeton KOHA.
Ndërkaq, të infektuar në vend janë regjistruar 92,472 raste nga 86,498 sa ishin një ditë më parë.
Italia është vendi i dytë në botë me numrin më të lartë të të infektuarve, prapa SHBA-së. Ajo ka kaluar Kinën të premten,
Por, lajm i mirë mund të konsiderohet se nga të infektuarit në mbarë Italinë, të shtunën u shëruan 12,384 pacientë, në krahasim me 10,950 një ditë më parë.