Oda e Afarizmit të Kosovës i kanë drejtuar sot një letër kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurtit, përmes së cilës i kërkojnë një zgjidhje urgjente sa i përket shoferëve të cilët transportojnë mallëra, raporton Express.
Ky shqetësim i afaristëve është ngritur meqenëse shoferëve të cilët sjellin mallra nga një shtet tjetër dhe më pas futen në Kosovë, u duhet të karantinohen për 2 javë.
Prandaj nga OAK kërkojnë që shoferët transportues të pajisen me leje të veçanta, për t’ua mundësuar lëvizjet më të shpeshta dhe për të mos e bllokuar sektorin e transportit:
Njoftimi i plotë:
Oda e Afarizmit të Kosovës i është drejtuar me një letër Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Zëvendëskryeministrit Hoti dhe Ministrave përkatës për të marrë masa urgjente dhe të trajtohet problemi i sektorit të transportit.
Pengesat që janë duke iu shkaktuar këtij sektori në pikat kufitare, mund të paraqesin rrezik për furnizime adekuate, e sidomos për furnizimin me medikamente dhe ushqime.
Shoferëve të kompanive transportuese në pikën kufitare u janë dhënë dokumentet që kanë të drejtë të bëjnë vetëm një rrugë/hyrje dhe pastaj duhet që të vetkarantinohen. Duke pasur parasysh faktin që për këtë sektor, shoferët janë në mungesë arsye e cila qëndron tek pajisja me viza, si dhe faktin që kompanitë kanë kontrata të cilave duhet të iu përmbahen, një gjë e tillë është e pamundur.
OAK edhe në takimin që ka pasur me Ministren Hajdari dhe Ministrin Bislimi, ka kërkuar që sektorë të vecantë të pajisen me leje të vecanta për qarkullim, pasiqë një gjë e tillë mund të bllokojë pastaj zinxhirin e furnizimit.
Pronarët e bizneseve të këtij sektori deklarojnë se shoferët janë të pajisur me mjetet mbrojtëse dhe me pjesën e ngarkim/shkarkim merret dikush tjetër, cka bënë që këta shoferë të mos kenë kontakte fizike me njerëz të tjerë, prandaj kjo nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë.
Lidhur me këtë OAK i është lutur Qeverisë që të ndërmerren masa urgjente dhe të mos rrezikohet ky sektor.