Dezinfektimi, biznesi që po lulëzon në kohën e koronës

Supermarketet, restorantet e një sërë njësish specifike, me ligj duhet të bëjnë dezinfektim në mënyrë sistematike, për të përmbushur kriteret higjieno-sanitare.

Një pjesë e mirë e tyre e respektojnë këtë kërkesë, duke lidhur kontrata private me kompanitë që e ofrojnë këtë shërbim. Të tjerë, parapëlqejnë të sigurojnë dëshmi sipas një hapësire që lejon ligji. Por ka edhe nga ato kategori që nuk e shohin të arsyeshme ndonjëherë që të kryejnë procese dezinfektimi. Së pari, nga kompanitë e tregut, kjo cilësohet si kulturë pune dhe biznesi, diçka që nuk e kemi.
Dezinfektimi shihet me indiferencë. Kështu ndodhi deri para dy javësh, kur secili nga operatorët që ofron këtë shërbim në treg e kishte të qartë planin e punës me aq pak klientë sa mund të kishin. Pas koronavirusit, ata shprehen se nuk po arrijnë të marrim dot frymë. Kërkesa nga të gjithë dhe të gjithë e duan brenda ditës. Frika e virusit që po trondit botën u përcoll edhe te ne, sidomos me zbulimin e rasteve të para. Ata raportojnë mesatarisht 50 telefonata në ditë në pikun e fluksit, por tani gjërat po stabilizohen gradualisht.

Fasonët, call center, pallatet dhe vilat private kërkojnë shërbim

Reklama e sponzorizuar

Qeveria vendosi që për kompanitë prodhuese apo ato që kanë ndikim të dukshëm në zinxhirin ekonomik dhe nuk mund të shkëpusin procesin e punës, puna të vijonte, edhe në kohën kur gjithë vendi është në karantinë. Në këtë grup sipërmarrjesh, përveç atyre të furnizimit me ushqime janë kategorizuar edhe fasonët dhe kompanitë call center.

Për të vijuar punë, sipas autoriteteve, kushti është dezinfektimi i ambienteve të punës në mënyrë sistematike, ruajtja e distancave të sigurisë 1.5 metra nga një punonjës te tjetri, puna me staf të reduktuar, pajisja me maska dhe doreza si dhe disponimi i dezinfektuesve të lëngshëm. Nën këto kushte, duket se Call Center-at dhe Fasoneritë janë gjendur pa zgjidhje tjetër, përveçse kontraktimit të shërbimit të dezinfektimit nga kompanitë private.

Këto të fundit, raportuan për “Monitor” se këto dy grupe sipërmarrjesh ishin të fundit që iu shtuan listës së interesit. Nuk ka munguar as interesi nga pallatet për pastrim të ambienteve të përbashkët. “Për herë të parë kemi pasur kërkesa nga administratorët e pallateve, për të dezinfektuar ambientet e përbashkëta të banimit. Kjo ndodh për herë të parë dhe ka pasur goxha fluks” – sqaron Fatos Lashi, administrator i Egian Med sh.p.k.

Të njëjtën tendencë konfirmon edhe Adriatik Spahiu, drejtues teknik i kompanisë DSO. “Dezinfektimi i mjediseve të përbashkëta nëpër pallate u ka kushtuar çdo familjeje 200 lekë. Kjo shumë është mbledhur nga administratori i cili ka bërë dhe lidhjen me kompaninë, si dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të procesit” – sqaron Spahiu.

Fatos Lashi, Administrator Egian Med sh.p.k

“Për herë të parë, kërkesa nga administratorët e pallateve, kostot”

A ka ndryshuar kërkesa për shërbimet tuaja gjatë këtyre kohëve, nisur edhe nga situata me koronavirusin?

Ne kemi më shumë se 9 vite si biznes që ofrojmë shërbimin e dezinfektimit, dezinsektimit dhe deratizimit. Rasti me koronavirusin është disi specifik, jo i zakonshëm dhe është shoqëruar me rritje të kërkesave të shërbimit të dezinfektimit. Veçanërisht në ditët e para kishte dyndje të jashtëzakonshme. Tani, situata po normalizohet disi. Kërkesat ishin të larta dhe të gjithë e donin shërbimin brenda ditës.

Ne, si kompani, kemi kontrata standarde që i zbatojmë me njësi që e kryejnë këtë proces, në mënyrë të vazhdueshme, si supermarketet apo njësi të ngjashme, pasi është kriter ligjor dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit e ndjek këtë gjë. Përveç këtyre njësive, te pjesa tjetër mund të them se ka një lloj indiferentizmi. Nuk e kemi kulturë pune dezinfektimin e ambienteve të punës.

Me rregull, sa shpesh duhet të dezinfektohen mjediset që kanë risk, çfarë afatesh mund të zbatohen?

Logjikisht duhet 2 deri në 10 ditë, por duhet kuptuar që ky është edhe një problem financiar për kompanitë, pasi ka kosto. Po të kenë mundësi, mund ta bëjnë edhe vetë për të ulur koston. Siç e përcakton protokolli, pra me logjikë dy herë në javë.

Cilët janë bizneset që kanë kërkuar më së shumti shërbimet tuaja këto kohë?

Më shumë kanë qenë fasonët dhe call center. Supermarketet kanë një kontratë të vazhdueshme të kësaj natyre, ndaj rritja nuk ka ardhur prej tyre. Këtë herë, për herë të parë, kemi pasur kërkesa nga administratorët e pallateve për të dezinfektuar ambientet e përbashkëta të banimit. Kjo ndodh për herë të parë dhe ka pasur fluks.

Sa është kostoja mesatare e shërbimit të dezinfektimit të ambienteve në treg?

Kostoja varion nga sipërfaqja, por le të themi që për 1 metër/katror mesatarja është 50-60 lekë. Kjo është një mesatare tregu.

Në lidhje me kuadrin ligjor, a ka ndonjë pengesë apo mungesë që bën që ky shërbim të neglizhohet?

Korniza ligjore ekziston, por neglizhohet. Sigurisht, jo nga të gjithë. Ka subjekte që e bëjnë në mënyrë të vazhdueshme këtë proces siç e kërkon ligji, bëhet fjalë kryesisht për higjienën që kërkohet dhe mbikëqyret nga AKU. Por, ka një ngërç që lidhet me farmacitë bujqësore. Dëshmitë që merren nga disa subjekte përmes një hendeku ligjor bëjnë që të sfumohet pjesa e bizneseve ku kategorizohemi edhe ne.

A ka pasur dezinfektim të përgjithshëm nëpër rrugë apo parqe e ambiente të populluara?

Jo, nuk ka pasur ndonjë kërkesë të tillë nga institucionet shtetërore. Normalisht e di kujt i referoheni, sepse kemi parasysh ato skenat nga Wuhani në Kinë, ku u bë një dezinfektim i përgjithshëm, por ne nuk kemi pasur. Ajo është një mënyrë shumë efikase për raste të kësaj natyre.

Kompania disponon katër pompa të mëdha që vendosen mbi kamionçina dhe bëjnë dezinfektim të një tjetër shkalle, por deri më sot, nuk më ka kontaktuar askush për diçka të tillë. Di që dhe disa operatorë të tjerë në treg disponojnë nga një pompë të kësaj natyre. Ministria e Shëndetësisë e di që ne i disponojmë, pasi ne si kompani kemi bërë dezinsektimin e bregdetit. Megjithatë, nuk ka pasur ndonjë nismë të tillë. Do ta shihja me vend që të bëhej kjo gjë dhe do të ishim të gatshëm që ndoshta si treg, të gjenim një mënyrë që të ofronim këtë shërbim. Jo për parimin e të bërit biznes, më shumë sesa për ndjeshmërinë që ka kjo si çështje.

Adriatik Spahiu, Drejtues Teknik, kompania DSO 

“Nga Call Center te vilat private, rritet interesi për dezinfektim”

Si ka qenë kërkesa në dy javët e fundit kur është ngritur edhe alarmi për koronavirusin në vendin tonë?

Ne kemi pasur shumë kërkesa këto ditë. Në disa raste na duhet të aplikojmë radhë për t’ju përgjigjur klientëve që na marrin. Ka fluks të atyre që duan të marrin këtë shërbim pranë shtëpive, bizneseve apo institucioneve të tyre.

Çfarë biznesesh apo njësish janë kryesisht ato që kanë kërkuar shërbimin tuaj të dezinfektimit?

Nga më të ndryshmet, duke nisur nga call center, shkolla private jopublike, kopshte, çerdhe, bar-kafe, dyqane tregtimi joushqimore, institucione publike si Ministria e Arsimit, për shembull, që kishim këto ditë, apo Autoriteti Rrugor Shqiptar. Këto të fundit, shërbimin e marrin përmes procedurës së prokurimit.

Prej sa kohësh operoni në treg?

“Dezinfektim Specializuar Objektesh”, apo DSO, operon prej 10 vjetësh në treg me shërbimet e saj. Pavarësisht kësaj, për momentin ajo që po kërkohet më së shumti është dezinfektimi, që ka të bëjë me situatën e krijuar nga koronavirusi. Rritja është e jashtëzakonshme. Nëse në një muaj normal, ne kryenim shërbime të kësaj natyre në minimalisht 10 njësi, vetëm këto ditë, me këtë situatë, na është dashur t’u përgjigjemi mbi 50 kërkesave për subjekte të ndryshme.

Ku konsiston procesi që aplikoni, çfarë risku kanë?

Procesi konsiston në ngordhjen e mikrobeve patogjene, përmes pastrimit të sipërfaqeve me alkool etilik 96 gradë. Produktet që përdoren janë të tilla që nuk përbëjnë kërcënim për jetën e njerëzve, ndërkohë që edhe forma e aplikimeve apo informacionet që u jepen individëve pas përfundimit nuk kanë asnjë risk.

Ju përmendët se ka sidomos biznese të interesuara për të dezinfektuar ambientet. Po nga individët, apo familjet, a keni pasur kërkesa për këtë shërbim? Sa është kostoja e përafërt e shërbimit?

Edhe individët kanë pasur interes të dukshëm për shërbimin. Janë familje që kanë vila apo mjedise private, që kanë dashur t’i dezinfektojnë. Ka pasur kërkesa edhe nga banorë pallatesh që kanë kërkuar dezinfektimin e ambienteve të përbashkëta, siç janë shkallët apo parvazet. Kosto fikse për shërbimin nuk mund të kemi, sepse kjo varet nga sipërfaqja e objektit, apo njësia që kërkon shërbimin. Por, për shembull, dezinfektimi i mjediseve të përbashkëta nëpër pallate u ka kushtuar çdo familjeje 200 lekë.

Kjo shumë është mbledhur nga administratori, i cili ka bërë dhe lidhjen me kompaninë, si dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të procesit. Gjithsesi kompania, për mënyrën si aplikohen këto shërbime, ka në përbërje të stafit edhe drejtuesin teknik, për të siguruar mbarëvajtjen dhe kryerjen brenda parametrave.