Sot rreth orës 15:00, janë dorëzuar mostrat edhe për tre pacientë të tjerë, të cilët dyshohet se janë të prekur me koronavirus, raporton Express.
Burime të Express brenda QKUK’së kanë bërë me dije se njëri prej këtyre pacientëve është zyrtar i EULEX’it.
Ndryshe, sot në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovs kanë kërkuar ndihmë dy vajza, të cilat dyshohet se mund të jenë prekur nga koronavirusi. Analizat për to pritet të dalin sot gjatë ditës.
Deri më tani në Kosovë nuk është konfirmuar asnjë rast pozitiv me koronavirus.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media tha se deri më tani janë testuar 57 raste të cilat kanë rezultuar të jenë negative.
“Raste me koronavirus janë konfirmuar në vendet fqinje me Kosovën. Tash për tash, pa i llogaritur pesë raste që po testohen sot, në Kosovë nuk ka raste të koronavirusit të konfirmuara. Janë testuar 57 raste deri më tani dhe të gjitha kanë rezultuar negative”, tha Vitia.
Ministria e Shëndetësisë planifikon të shpenzojë 10 milionë e 13 mijë e 295 euro, për të zhvilluar aktivitetet dhe planet rreth parandalimit apo trajtimit të virusit për të prekurit eventual në Kosovë
“MSH’ja ka bërë përllogaritjen financiare të aktiviteteve që do të zhvillohen nga ministria, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Klinika Infektive dhe institucionet tjera mbështetëse, pra secili hap do të varet nga zhvillimet qe do t’i kemi në terren në orët apo ditët në vazhdim. Janë 10 milionë e 13 mijë e 295 euro. Plani i veprimit do të bëhet në zbatim, varësisht nga situata. Te gjitha janë të përcaktuara qartë në një plan të detajuar nga ekspertët”, deklaroi Vitia.