“Frankfurter Allgemeine Zeitung”: Në Kosovë, BE-ja nuk po arrin t’i kundërvihet diplomacisë së shantazhit të Grenellit

Gazeta konservatore dhe më proamerikane e Gjermanisë, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), thekson në një analizë se rrëzimi i qeverisë së Kosovës e destabilizon rajonin.

BE-ja përkrahu qeverinë e Albin Kurtit, pasi ai premtoi se do të jetë kryeministri i parë kosovar, i cili seriozisht do të luftonte korrupsionin dhe nepotizmin. Shqetësuese, sipas FAZ, është se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, prej aleatëve janë bërë kundërshtarë.

Korrespondenti për Ballkan i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), Michael Martens, shkruan në një analizë se javën që shkoi Kosova ishte një skenë ku u përplasën Shtëpia e Bardhë dhe Bashkimi Europian. Raundin e parë BE-ja e humbi. Përkundër paralajmërimeve të Komisionit Europian dhe të shteteve anëtare të BE-së, Shtëpia e Bardhë ia doli që në Kosovë të rrëzojë një qeveri, të cilës nuk i bëri punë përkrahja unike europiane. Është shqetësues fakti se një qeveri europiane rrëzohet me mocion mosbesimi m’u në vlugun e epidemisë së koronës, thua se është koha për kacafytje për pushtet sipas tabiateve të vjetra.

Reklama e sponzorizuar

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” parashikon se Kosovën si shtetin më të ri dhe më të varfër të Europës e presin kohëra të vështira në një situatë krize globale me përmasa të paparashikueshme. Shtetet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Serbia i kanë shtyrë zgjedhjet parlamentare të parapara për në prill. Vështirë të merret me mend se në këto rrethana në Kosovë mund të mbahen zgjedhje të reja parlamentare. Kësisoj kryeministri i shkarkuar Albin Kurti mund të vazhdojë të qeverisë, nëse nuk zëvendësohet me një koalicion prej disa partive.

Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung” përplasjet e brendshme politike në Kosovë janë vetëm maja e Ajsbergut. Shqetësuese, sipas FAZ, është se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja prej aleatëve janë bërë kundërshtarë. Forca shtytëse që rrëzoi Kurtin ishte Richard Grenell, ambasadori amerikan në Gjermani, njëkohësisht i ngarkuar i Donald Trumpit për “bisedimet paqësore” mes Serbisë dhe Kosovës. Së paku në kohërat para koronës Grenell dëshironte që shefit të tij aspak të suksesshëm në arenat e politikës së jashtme t’ia prezantojë një “pazar” për pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë edhe për të treguar se Trump ia del aty ku BE-ja ka dështuar.

Gazeta gjermane thekson se ndoshta nuk është e vërtetë që vetë Grenell synon ndryshimin e kufijve të Kosovës. Por ai shpejt e shpejt deshi rivendosjen e fluturimeve direkte dhe lidhjes hekurudhore mes Beogradit dhe Prishtinës. Këtu si pengesë ishte Kurti, i cili afrimin me Serbinë e përkrahu me parakushte dhe për këtë ofroi argumente të bindshme. BE-ja, ndërkaq, gjithnjë e më qartë përkrahu Kurtin, pasi që ai premtoi se do të jetë kryeministri i parë kosovar, i cili seriozisht do të luftonte korrupsionin dhe nepotizmin, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

BE-ja dhe kryeqytetet kryesore europiane, shkruan gazeta gjermane, i kanë vetë fajet që ishin të shtyra vetëm të shikojnë rrëzimin e qeverisë Kurti. Ndonëse Komisioni i BE-së ka konstatuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e vizave, kjo i është mohuar Kosovës, ndërsa i është lejuar Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Heqjen e vizave për kosovarët e ka kundërshtuar edhe zyra e kancelares gjermane, shkruan FAZ. Edhe për këtë arsye në Kosovë shumë njerëz mendojnë: Europa premton shumë dhe mban pak premtime. Heqja e vizave do t’ia rriste besueshmërinë BE-së në Kosovë dhe do ta bënte politikën kosovare më pak të lëndueshme ndaj diplomacisë së shantazhit të stilit të Grenellit. Për fat të keq nuk është e parashikueshme se kur do t’i zënë besë njëri-tjetrit europianët dhe amerikanët në Ballkan.