Vendimi i BQK-së për shtrenjtimin e sigurimit ishte kundërshtuar edhe nga FMN-ja

Që nga 31 tetori i vitit të kaluar, 2019, Banka Qendrore e Kosovës pat marrë vendimin për shtrenjtimin e sigurimit të veturave për 26%, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas Institutit GAP, në vendimin për rishikim të tarifave, BQK-ja nuk ka marrë parasysh raportin e vlerësimit (aktuarial), as faktorët e përcaktuar edhe në rregulloret e vetë BQK-së dhe as ato nga rekomandimet e FMN-së, apo opinionin profesional të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

“Rishikimi i këtyre tarifave ishte në përputhje me rekomandimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), mirëpo FMN nuk sugjeron ndonjë normë të caktuar të rritjes, por vetëm konstaton se në rishikimin e tarifave nuk janë marr parasysh zhvillimet e tregut siç janë inflacioni në shpenzimet mjekësore, ndërrimi i sjelljes së shoferëve për shkak të teknologjisë apo ndryshimi i profileve të rrezikut si pasojë e vendimeve gjyqësore”, thuhet në raportin e publikuar nga Instituti GAP.

Reklama e sponzorizuar

BQK-ja, sipas tyre ka ngritur tarifat në përputhje vetëm me shkallën e inflacionit gjatë periudhës 2002-2018, edhe pse FMN-ja kishte përmendur se tarifat janë rishikuar në vitin 2011.

“Nga inflacioni i akumular është zbritur kostoja prej pesë përqind e tatimit në të ardhurat e korporatave e cila më nuk do të paguhet në primet bruto nga kompanitë e sigurimit, por në të ardhurat e tatueshme”, vazhdon raporti i GAP-it.

GAP-i tutje shton se ky vendim i BQK-së është në kundërshtim me opinionin profesional të Autoritetit të Kosovar të Konkurrencës (AKK) dhe vendimi së bashku me raportin aktuarial nuk janë publikuar fare në faqen e BQK-së.

GAP-i përmes këtij raporti ka ngre dyshimet e saja mbi legjitimitetin e këtij vendimi dhe i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës që të angazhojë një kompani ndërkombëtare profesionale e cila do të ndihmonte që të bëhej një rishikim profesional i vendimit për shtrejtimin e sigurimit të veturave. /Buletini Ekonomik/

Raporti i plotë i publikuar nga Instituti GAP:

https://www.institutigap.org/documents/46869_rritja%20e%20tarifave-SHQ-.pdf?fbclid=IwAR0JRngE6W4Aw5fWOlSp-lQFGpHHWIoWseOlTQhwgRsOoW5RlsypPv7zvMk