Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri global i viktimave të koronavirusit ka shkuar në 18 mijë e 923 persona, ndërsa janë infektuar mbi 423 mijë njerëz. Fatmirësisht, 108 mijë prej tyre tashmë janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet.
Numri i të vdekurve në Itali, që ka shkuar në 6820, është mbi dyfish më i madh se shifra e viktimave në provincën Hubei të Kinës, që është 3160. Duket se epiqendrës së virusit do t’ia kalojë me statistika edhe Spanja, e cila deri më tani i ka regjistruar 2991 raste fatale.
Cilat janë zhvillimet më të fundit rreth koronavirusit në botë?
Sipas agjencisë për vlerësime ekonomike, “S&P”, ekonomia botërore do të marrë një goditje masive për shkak të mbylljes së bizneseve në një pjesë të madhe të botës. Kjo agjenci shtoi se ekonomistët përditë janë duke i rishikuar parashikimet e tyre për GDP-në e botës.
Zelanda e Re e ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare dhe nga e mërkura do të futet në izolim, që do të zgjasë së paku katër javë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Libia e ka konfirmuar rastin e parë të koronavirusit, duke ngjallur frikë se virusi mund ta rëndojë edhe më shumë gjendjen e vendit të shkatërruar nga lufta, sidomos duke e pasur parasysh faktin për gjendjen e dobët të sistemit shëndetësor.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, kërkoi nga vendet e Grupit G20 që të hartojnë një plan me ndihma ekonomike për bizneset dhe punëtorët në vendet në zhvillim për ta luftuar koronavirusin.