Shefi i deputetëve të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit se kryeministri Albin Kurti është duke shpërfillur paralajmërimet e fundit të Amerikës, raporton Gazeta Express.
Ai thotë se Qeveria e Kosovës duhet që t’i hapë rrugë normalizimit të dialogut me Serbinë.
“Duke u bazuar në sjelljet dhe veprimet shpërfillëse sistematike dhe qasjen institucionale jo serioze z.Kurtit në raport me këshillat miqësore nga përfaqësuesit e lartë të SHBA-së për zhbllokimin e dialogut dhe ecjen përpara. Qeveria e Kosovës t’i hapë rrugë dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, shton ai, teksa thotë se i kanë marrë me shqetësim paralajmërimet e fundit të Amerikës.
“I marrim me shqetësim serioz paralajmërimet e fundit për Kosovën për tërheqjen e trupave ushtarake dhe suspendimin e planeve zhvillimore si rezultat i shpërfilljes nga kryeministri Kurti. Grupi parlamentar i PDK-së, konsideron se Kosova në fazën vijuese duhet të zhvillojë në koordinim me SHBA-në dhe BE-në. Përcaktimi i orientimit gjeostrategjik është vendosur me shpalljen e pavarësisë që përcaktohet miqësia e përhershme me SHBA-në dhe një partneritet i tillë nuk duhet të cenohet. Kjo kërkesë është e natyrës urgjente dhe për këtë qëllim kemi kërkuar që të mbahet seanca”, ka thënë ai.











