Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se punëdhënësit duhet të zbatojnë vendimin e Qeverisë për lirimin nga puna të nënave vetushqyese.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka shkruar se në rastet e nënave vetushqyese ky vendim nuk po zbatohet me arsyetimin e mospërmendjes në vendim.
“Pika e parë e Vendimit të Qeverisë kërkon lirimin e njërit prind nga puna për shkak të kujdesit ndaj fëmijëve. Në rastet e nënave vetushqyese ky Vendim nuk po zbatohet me arsyetimin e mospërmendjes shprehimisht në Vendim. Nënat vetushqyese i rrisin fëmijët të vetme. Abuzimi i punëdhënësve në këto raste është i papranueshëm dhe penalizohet”, ka shkruar ajo, transmeton KOHA.
Sipas saj, qëllimi i lirimit të njërit prind është kujdesi ndaj fëmijës dhe në rastet e nënave vetushqyese do të thotë që duhet të lirohet nëna.
“Do ta denoncojmë secilin punëdhënës që e shkelë Vendimin”, ka shkruar Haxhiu tutje.