Kosova ka hyrë në javën kritike kundër pandemisë së koronavirusit. Por, sipas paralajmërimeve, as ky fakt nuk pritet ta ndalë krizën politike drejt së cilës mund të rrëshqasë Kosova gjatë kësaj jave. Ditën kur në vend u shënua edhe viktima e parë nga koronavirusi, partnerët e koalicionit kanë vazhduar përplasjet, në pritje të votimit të mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti, për të cilin kanë nisur të rrjedhin afatet ligjore.
Dita e mërkurë është afati i fundit kur do të duhej të vihej në votim para deputetëve mocioni i iniciuar nga LDK-ja javën e kaluar. Mbështetur në deklaratat e kryetarit të LDK-së dhe zyrtarëve të tjerë të kësaj partie nuk ka sinjale se do të tërhiqet mocioni për të pritur të kalojë pandemia, me gjithë thirrjet e shumta brenda dhe jashtë vendit, shkruan sot Koha Ditore.
Por, paraprakisht, Kuvendi do t’i drejtohet me një shkresë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për të kërkuar rekomandim nëse ekzistojnë kushtet për mbajtjen e seancës. Këtë e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” nënkryetarja e parë e Kuvendit, Arbërie Nagavci. Sipas saj, mbajtja e seancës do të ishte mungesë e plotë e përgjegjësisë.
“Mocioni ka ardhur të premten pasdite dhe është protokolluar të shtunën. Faktikisht në rrethanat e zakonshme, ai duhet të dalë në seancë deri të mërkurën. Por, jemi në rrethana kur të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm për situatën, pasi shëndeti publik është në radhë të parë”, ka theksuar Nagavci.
“Të hënën administrata e Kuvendit do ta dërgojë një shkresë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për të kërkuar edhe mendimin e tyre për mbajtjen e seancës. Siç dihet, në seanca marrin pjesë rreth 200 persona, ku përveç deputetëve janë punëtorët e administratës dhe të tjerët që i ndjekin seancat. Kur kësaj ia shtojmë faktin se tashmë dy deputetë janë rekomanduar për vetizolim, as për së afërmi nuk janë kushtet për mbajtjen e seancës. Ka pasur dilema që edhe punëtorët e kuvendit duhet të vetizolohen, për shkak të kontaktit me personat që potencialisht mund të jenë infektuar”. Duke komentuar mundësinë e rrëzimit të Qeverisë, Nagavci ka theksuar se betejat politike duhet të lihen për më vonë, pasi të kalojë kriza me pandeminë.
Sipas pikës 3 të nenit 100 të Kushtetutës, mocioni i mosbesimit vihet në rend dite në Kuvend, jo më vonë se pesë ditë, e as më herët se dy ditë nga data e parashtrimit të tij.