Këshilltari i Thaçit: Dialogu po bartet në Washington

Këshilltari politik i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Artan Behrami, ka deklaruar në lidhje me takimet të cilat do t’i zhvillojë sot Thaçi me liderët partiakë dhe institucionalë.

Behrami ka thënë në Sytë 7, se i pari i shtetit sot në takimet e tij do t’i informojë të gjithë liderët institucionalë dhe politikë më detajisht dhe përmbajtësisht për bisedat që ka zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, si dhe për kërkesat dhe pritjet që Shtëpia e Bardhë ka për palën kosovare.

“Por, në të njëjtën kohë këto takime do të shërbejnë për të diskutuar për tema të tjera të interesit nacional siç është koordinimi në politikën e jashtme kur dihet që presidenti ka rol shumë të madh në këtë pikë që rrjedh nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Sipas Kushtetutës, presidenti është shef i diplomacisë dhe bartës i politikës së jashtme. Natyrisht, në këto takime do të diskutohet edhe për sfidat e tjera që Kosova ka para vetes”, ka thënë tutje ai.

Reklama e sponzorizuar

Behrami ka theksuar se presidenti do të takohet me të gjithë kryetarët e partive, por nuk e ka bërë të ditur nëse edhe kryeministri Albin Kurti e ka konfirmuar këtë takim.

“Sot do të ketë takime me të gjithë liderët institucionalë dhe politikë dhe qëllimi është koordinimi sa më i mirë i Republikës së Kosovës para sfidave që ka. Njëra nga sfidat dhe prioritetet më të mëdha që SHBA-të kanë për momentin është përfundimi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi”.

“Edhe kryeministri, si lider i Vetëvendosjes, por edhe ish-kryeministri Isa Mustafa, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli – me të gjithë do të ketë takime të ndara për të diskutuar krejt këto tema”, ka thënë ai.

Këshilltari politik i shefit të shtetit ka thënë se ka iniciativë nga presidenti amerikan Donald Trump që procesi i dialogut të bartet në Ëashington.

“Për herë të parë pas shumë vitesh të negociatave të lodhshme dhe pa rezultat të cilat janë zhvilluar në Bruksel kemi iniciativë serioze nga presidenti Donald Trump që procesin e dialogut ta bart në Washington, në Shtëpinë e Bardhë –  ku edhe nisi rrugëtimi i lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës dhe aty ku duhet të përfundojë përmbyllja e shtetësisë së Kosovës me anëtarësim në OKB”.

“Një iniciativë e tillë ka mbështetje të madhe popullore, pasi ishte kërkesë në pesë vjetët e fundit e çdo lideri politik që dialogu të udhëhiqet nga SHBA. Ky dialog tani po bartet në Washington. Vizita e presidentit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë e kishte pikërisht këtë simbolikë”.

Mirëpo, siç thekson ai, Qeveria e Kosovës po del kundër kësaj iniciative dhe angazhimi të madh amerikan për përmbylljen e procesit të dialogut.

“Në të njëjtën kohë, kemi pasë disa iniciativa të Qeverisë së Kosovës që janë dukur në opinion publik që janë kundër kësaj iniciative amerikane, meqë edhe në programin e tyre qeverisës thuhet që dialogu duhet të mbahet në Bruksel”.