Kontrata që për qëllim kishte dërgimin e horoskopit me sms klientëve të Vala-s, bëri që të bastiset sot Telekomi

Herët në mëngjesin e së premtes Policia e Kosovës ka nisur bastisjen e zyrave të Telekomit të Kosovës.

Aksioni i Policisë ka të bëjë me dyshimet për një kontratë njëmilionëshe të ndërmarrjes dhe keqpërdorimin e rreth 100 mijë eurove nga buxheti i shtetit.

Për këtë janë shoqëruar për intervistim në Polici 4 zyrtarë të Telekomit si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për lidhje të kontratës së dëmshme, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Policia gjithashtu ka konfiskuar si dëshmi materiale të ndryshme gjatë bastisjes, e zyrtarë të Telekomit kanë thënë se ky rast ishte iniciuar nga vetë ata.

KOHA ka siguruar kallëzimin penal që kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, ia kishte bërë një personi me emrin Avdi Limani, në janar të këtij viti.

Aty thuhet se Avdi Limani më 20 dhjetor të vitit 2019 në zyrat e Telekomit të Kosovës përmes dokumenteve të falsifikuara ka vënë në lajthitje zyrtarët e ndërmarrjes.

Limani kishte falsifikuar dokumentet dhe vulën duke u prezantuar si person i autorizuar i kompanisë “Tera Kosova”, ani se nuk ishte i tillë dhe në këtë cilësi kishte nënshkruar marrëveshjen për pagesën e borxhit në shumë prej 247 mijë eurosh.

Kjo pagesë ishte kryer në 3 këste, derisa pagesa e parë në shumën prej 105 e 840 eurosh ishte realizuar në xhirollogarinë e kompanisë “Keramika ART” me pronar Arben Taçi.

Bazuar në të dhënat e ARBK-së, kjo kompani është hapur në nëntor të 2019-s, derisa vetëm një muaj më vonë në llogari të saj janë derdhur paratë e Telekomit.

KOHA ka tentuar të vërë kontakt me Taçin, por ai ka qenë i paqasshëm.

Në kontratën e siguruar nga televizioni, mes “Tera Kosovës” dhe Telekomit, në emër të kësaj të fundit ka nënshkruar ish-kryeshefi i ndërmarrjes Agron Mustafa, kurse Mirce Atanosovcki si përfaqësues i kompanisë “Tera Kosova”.

Sipas informacioneve të KOHËS, kontrata u nënshkrua për t’ua ofruar klientëve të VALA-s parashikimin e horoskopit dhe rezultatet e ndeshjeve futbollistike përmes SMS-ve.

Kontrata në total kap vlerën e rreth 1 milion eurosh, prej tyre mbi 688 mijë euro u ishin paguar paraprakisht përfaqësuesve të “Tera Kosovës”, por dyshimet për keqpërdorim ishin ngritur në pagesën e fundit, kur ishte paraqitur Avdi Limani si përfaqësues i kësaj kompanie.

Policia nuk ka dhënë detaje nëse ka arritur ta arrestojë Limanin.