Koronavirusi në botë: Përmbledhje e lajmeve më të reja

Teksa pandemia e koronavirusit po vazhdon të përhapet nëpër botë, gazeta britanike, “The Guardian” ka bërë një përmbledhje të zhvillimeve më të reja.

Numri i të infektuarve i afrohet 800.000-shit

Numri i të infektuarve në botë ka shkuar në mbi 786.000 sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, me 37.800 të vdekur. Tri shtetet me numrin më të madh të të infektuarve janë SHBA-ja me rreth 165.000 veta, Italia me rreth 102.000 dhe Spanja me rreth 88.000. Në Itali është shënuar numri më i madh i viktimave (11.591), përcjellur nga Spanja (7.716) dhe Kina (3.309).

Reklama e sponzorizuar

Rritje e numrit të të infektuarve në SHBA

Rastet në SHBA me COVID-19 janë ngritur në rreth 165.000, me më shumë se 3.000 të vdekur. Shifra e re e të infektuarve është pothuajse dyfishi i Kinës (82.240) derisa po i afrohet numrit të të vdekurve në Kinë (3.309). Të hënën mbrëma, anija e Marinës amerikane është ankoruar në Manhattan me 1.000 shtretërit e saj për trajtimin e pacientëve që nuk janë të infektuar me koronavirus, në mënyrë që të lirohet hapësirë për të infektuarit. Një spital i improvizuar është hapur në Central Parkun ikonik të New Yorkut dhe do të nisë të pranojë pacientë të martën, transmeton KOHA. Një ekspert amerikan i sëmundjeve infektive ka paralajmëruar se qytetet më të vogla do të përballen me rritje dramatike të rasteve.

Qyteti Wuhan i Kinës nuk shënon asnjë rast të ri për një javë

Komisioni kinez për Shëndetësi ka thënë se epiqendra e pandemisë, Wuhani, nuk ka shënuar raste të reja të COVID-19 që nga 23 janari, derisa disa zona tregtare kanë nisur të rihapen. Komisioni po ashtu ka thënë se kanë mbetur vetëm edhe 2.161 raste të të infektuarve, derisa 76.052 persona janë shëruar.

Banka Botërore paralajmëron për “tronditje globale”

Banka Botërore thotë se pandemia mund të “ndalë zhvillimin dhe ta rrisë varfërinë”, sipas kryeekonomistit të saj për Azinë Lindore dhe Paqësorin, Aaditya Mattoo. Madje edhe në skenarin më të mirë, rajoni do të përballet me një rënie dramatike ekonomike.

Qeveria japoneze u bën ballë thirrjeve për gjendje të jashtëzakonshme

Një zëdhënës i qeverisë japoneze iu ka bërë ballë thirrjeve që kryeministri Shinzo Abe ta shpallë gjendjen e emergjencës, teksa shteti ka shënuar afër 2.000 raste dhe 56 vdekje. Ministri japonez i Ekonomisë ka paralajmëruar se mbyllja e qyteteve si Tokio dhe Osaka mund të ketë pasoja të mëdha për ekonominë e tretë përkah madhësia në botë.