Krasniqi: Një person i infektuar me koronavirus, mund të infektojë deri në 4 persona

Infektologu, Valbon Krasniqi në Interkativ të KTV-së ka thënë se koronavirusi ka një shkallë të lartë të transmisionit, dhe një person mund të infektojë deri në katër persona.

“Virusi ka një shkallë të transmisionit më të lartë se sa epidemitë e më parshme. Dhe kjo shkallë po vlerësohet të jetë nga 1.5 deri në 3.5. Kjo nënkupton që një person i infektuar me këtë person mund të infektojë deri në 4 persona. Mënyra më e lehtë e infektimit është përmes teshtitjes dhe kollitjes”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se që nga data 8 shkurtë kur në Kosovë ka qenë rasti i parë i dyshuar, mbi 100 persona janë testuar në QKUK.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij ishte e pashmangshme që të kishte persona që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.

“Por, kjo ishte e pashmangshme, pasi as Kosova nuk është imune dhe sëmundjet e tilla janë pothuajse të pamundur të ndalen. Kjo për neve ka qenë e pritshme. Jo vetëm këto raste, por edhe ato që vijnë të dyshimta izolohen, dhe s’kanë kontakt derisa të merret rezultati. Kontakti i vetëm që kanë është ai me personelin, të cilët u japin barna ose antibiotik të caktuar”, ka thënë Krasniqi.

Sëmundja e tij mund të zgjasë nga 3-5 javë.

“Vetëm një numër i rasteve e zhvillojnë sëmundjen në nivel të rëndë, e disa fatkeqësisht edhe në nivel fatal. Sidomos në javën e fundit ka pasur 10-15 rasteve që kanë ardhur për t’u kontrolluar. Dhe në bazë të rezultateve ata edhe janë liruar. Deri në ditën e djeshme kemi caktuar repartin e izolimit për personat e dyshuar, kurse tani Klinika Infektive do të jetë në dispozicion për këto raste, e që ka kapacitet prej 130 shtretërve”, u shpreh ai.

Image

Ai ka thënë se masat që janë marrë në Kinë e në Viti janë të domosdoshme.

“Duke e parë shkallën e lartë të infeksiozitetit nga ky virus, e shohim të domosdoshme një masë të tillë në Klinë e në Viti, të cilëve u apeloj që të respektojnë masat. Duhet të kenë kujdes sidomos personat në moshë të shtyer, ose personat me probleme kardiovaskolare. Kurse te të rinjtë po kalon në mënyrë më të lehtë. Me masat e marra mbrohet edhe këto kategori”, u shpreh ai.

Sipas tij Kosova është ndër shtetet e para që ka ndërmarrë masat e duhura për ta parandaluar koronavirusin.

“Rolin kryesor e kanë qytetarët, ata të kenë përkujdesje për higjienën, të shmangin turmat, e të mbajnë një distancë me personat e tjerë. Këto janë masa të thjeshta që secili qytetar duhet t’i ndërmarrë për të bërë një punë shumë të mirë. Nëse ka simptoma atëherë duhet të paraqiten te mjeku, nëse jo atëherë duhet të qëndrojnë në shtëpi. Nuk kanë nevojë që menjëherë të shkojnë në QKUK. Qytetarët mund të thërrasin në numrin që është në dispozicion, dhe pesë qytetarë mund të thërrasin atë numër në të njëjtën kohë për të marrë këshilla”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi ka treguar simptomat që paraqiten.

“Personat që kolliten, teshtiten, vështirësi në frymëmarrje dhe kanë histori të udhëtimit që kanë qenë në vendet epidemike atëherë mund të vijnë në QKUK”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka treguar edhe për dy personat e infektuar me koronavirus.

“Që të dy personat kanë ardhur nga Italia. Rasti i burrit, një 77 vjeçar nganjë fshatë nga Vitia, ka ardhur në Kosovë me datën pesë mars. Kurse rasti tjetër është një punëtore me nënshtetësi italiane, rreth 20 vjeç, në Komunën e Klinës dhe që punon për një organizatë ndërkombëtare dhe duket se ka ardhur përmes Shqipërisë. Bëj apel që të bëjmë betejën që të ndalohet transmetimi lokal, dhe të rrisim vigjilencën në pikat kufitare, prandaj duhet një kujdes shumë më i shtuar”, u shpreh Krasniqi.

Ai pret që numri i të infektuarve me koronavirus të rritet.

“Është e pritshme që të ketë raste të dyshuara për infeksion. Nëse kemi parasysh se ka disa ditë që personat janë në Kosovë, që janë pozitivë, dhe kanë pasur kontakte. Për neve nuk është e habitshme që të rritet numri i të infektuarve. Të gjitha këto masa të ndërmarra e zvogëlojnë mundësinë që përhapja e koronavirusit të rritet”, ka thënë Krasniqi.