Kriza e koronavirusit po sprovon modelet sociale të kundërta, duke qenë se qeveria në Shtetet e Bashkuara dhe ato në Europë po ndjekin politika të ndryshme për të qetësuar ekonomitë e tyre, edhe pse të gjitha janë të goditura nga i njejti armik “COVID-19”. Kjo është njëkohësisht edhe vënia më e fundit në skenë e një debati të gjatë filozofik, në qendër të së cilit qendron pyetja se kush duhet të përthithë kostot dhe rreziqet kur ka një ndryshim të papritur të fatit ekonomik.
Nga njëra anë, tregjet tradicionale më fleksibël të punës në Amerikë nënkuptojnë se punonjësit individualë priten të marrin përsipër pasojat e një goditjeje të tillë. Fatura e stimulimit të javës së kaluar përfshiu rreth 300 miliardë dollarë amerikanë të cilat do të shkojnë në mbështetje të familjeve që humbasin punën e tyre, derisa kjo pandemi të përfundojë.
Ndërkohë, në Europë, ku shtetet ofrojnë më shumë përfitime sociale sa i takon papunësisë dhe ku është më e vështirë që të pushohen punonjësit, përqendrimi ka qenë në ofrimin e stimujve ndaj kompanive të ndryshme që të mos i pushojnë punonjësit e tyre, njëkohësisht edhe duke i mbështetur bizneset deri sa kjo situatë të kthehet sa më parë në normalitet.
“Pika fillestare për këto dy sisteme është shumë e ndryshme”, tha për Bloomberg Television, Catherine Mann, Kryeekonomiste në Citigroup Inc.. Europa ka “një rrjet shumë më të mirë të sigurisë sociale që do t’i vijë në mbështetje njerëzve. Në Sh.B.A, duhet të mbështesësh si njerëzit ashtu edhe firmat e ndryshme”.
“Rritje më e madhe”
Në këtë eksperiment krahasues midis dy kontinenteve, ka shumë mundësi që efektet e virusit të shfaqen ndryshe edhe sa i takon të dhënave ekonomike. Sh.B.A ka parë tashmë një rritje rekord në pretendimet e papunësisë, dhe krijuesit e politikave duhet të improvizojnë një rrjet të sigurisë.
“Në ndryshim me sistemet të cilat kanë subvencionuar programet afatshkurtra të punës dhe kostot e larta të lidhura me pushimet nga puna, ka shumë mundësi që SHBA-ja të përjetojë një rritje më të madhe të niveleve të papunësisë, madje edhe nën hartimin e politikave më të mira”, tha Bruce Kasman, Kryeekonomist në JPMorgan Chase & Co.
Një situatë e tillë do të ketë padyshim pasoja shumë të rënda për familjet amerikane, tha z. Kasman, duke përfshirë humbje të aksesit në kujdesin shëndetësor, i cili në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpeshherë është i lidhur me punësimin dhe kredinë.
Kriza financiare globale e vitit 2008 nuk është e njejtë me atë që po përjeton globi gjatë këtij viti: autoritetet europiane dhe ato amerikane reaguan në mënyra të ndryshme sepse sistemet e tyre bankare u përballën me sfida specifike. Por, pandemia COVID-19 është duke paraqitur të njëjtin lloj kërcënimi për shëndetin publik dhe aktivitetin ekonomik në të gjithë botën e zhvilluar.
Fatura e shpëtimit
Rritja e numrit të ankesave si pasojë e rritjes së nivelit të papunësisë është vetëm në fazën fillestare në SH.B.A. Shumë analistë, përfshirë disa politikëbërës të Rezervës Federale, thonë se niveli i papunësisë do të arrijë nivele që nuk janë parë që nga vitet e Depresionit të Madh. Pas krizës së vitit 2008, Sh.B.A-ja humbi edhe epërsinë që kishte një kohë të gjatë që e mbante mbi Europën, sa i takon pjesës së popullsisë në moshë punë.
Fatura e shpëtimit prej 2.2 trilionë dollarësh amerikanë e miratuar nga Kongresi dhe e nënshkruar nga Presidenti Donald Trump të premtene javës së kaluar, është krijuar më shumë për të stabilizuar dhe qetësuar këtë goditje të rëndë që po merr Amerika sesa për ta parandaluar atë.
Edhe fatura me vlerë prej 350 miliardë dollarësh amerikanë e shpërndarë në formë kredie për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat punësojnë rreth gjysmën e fuqisë punëtore, është dhënë po për të njejtën arsye. Por me këtë shpejtësi që po përhapet COVID-19 ka shqetësime të shumta sipas të cilave qeveria amerikane do ta ketë shumë të vështirë dhe do të jetë e paaftë për ta përballuar këtë lloj shkalle vështirësie.
Në Europë , ku të dhënat e para për humbjet e vendeve të punës po fillojnë të shfaqen gjatë ditëve të fundit, qeveritë e shteteve të ndryshme kanë plane dhe programe rezervë me të cilat mendojnë që do ta përballojnë një problem të tillë. Prandaj, shtete si Gjermania, Franca dhe Italia kanë reaguar duke vënë më shumë para në dispozicion të këtyre programeve.
Franca për shembull, po premton pagë emergjente prej 84% të të ardhurave normale për ata që fitojnë deri në 84,000 euro (94,000 dollarë amerikanë) në vit. Për ata që marrin pagë minimale kjo vlerë do të jetë 100%.
Edhe Mbretëria e Bashkuar, praktikat e punës të së cilës kanë ndjekur historikisht linjat e Sh.B.A.-së, njoftuan se qeveria do të mbulojë deri në 80% të faturave të pagave për punonjësit privatë që rrezikojnë të humbasin punën e tyre. Kanadaja ndoqi pothuasje të njejtën politikë të premten e kaluar. Kjo ide po shihet me interes edhe nga qeveria amerikane dhe jo vetëm në mesin e admiruesve të majtë të modelit europian.
Qëndroni në shtëpi”
Fondacioni konservator i Taksave, për shembull, vlerësoi programin e subvencioneve të pagave të Gjermanisë javën e kaluar, duke theksuar se një lëvizje e tillë ndihmoi në kufizimin e humbjeve të vendeve të punës pas vitit 2008 dhe ka shumë mundësi që të jetë efikas edhe në rënien e tanishme.
Nëse virusi jep një goditje të mprehtë, por të shkurtër për ekonomitë, masat europiane do të përshtateshin në mënyrë të përkryer për t’u marrë me përballimin e kësaj situate, shprehet Jacob Funk Kirkegaard, një prej anëtarëve më me përvojë në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, me bazë në Uashington.
Ekziston “një model shoqëror që në thelb mund të ngrijë ekonominë për 3 muaj”, tha ai. “Dhe thuajini shumicës dërrmuese të punonjësve: “Vetëm qëndroni në shtëpi, sepse ne do t’i paguajmë firmat tuaja, kështu që rrjedhimisht do të paguheni edhe ju”.
Megjithatë, problemet mund të shfaqen së shpejti.
Nëse masat bllokuese do të zgjasin më shumë më shumë se tre muaj, thotë z. Kierkegaard, madje edhe subvencionet e stilit europian nuk do të jenë në gjendje të kompensojnë goditjen që marrin korporatat.
Pengesa fisklae
Ekonomitë e Eurozonës po përballen gjtihashtu me një problem tjetër që SH.B.A nuk e ka, një problem i cili mund të ngadalësojë rikuperimin e tyre pasi të mbarojë emergjenca shëndetësore, sipas znj. Mann nga Citigroup. Ekonomitë do të kenë nevojë për më shumë ndihmë nga shpenzimet buxhetore për t’u rimëkëmbur nga një rënie e tillë, pasi Bankat Qendrore kanë pak hapësirë për të dhënë stimuj të tillë si ulja e normave të interesit. Shumë analistë madje presin që politika fiskale dhe monetare të funksionojë në të njëjtën kohë.
Kjo është shumë më e lehtë për t’u realizuar në Sh.B.A në krahasim me Eurozonën, e cila ka një bankë të vetme qendrore, por qeveri të shumta që kanë secila buxhetet e tyre, dhe shpenzime kapitale që shpesh kërkojnë negociata të mundimshme. Kjo mungesë e koordinimit fiskal mund të jetë një pengesë e madhe në drejtim të reagimit europian të këtij viti, tha znj.Mann.
Sa i takon SH.B.A-së, teksa e ardhmja e afërt mund të duket e ashpër, dhimbja e humbjeve të vendeve të punës mund të përfundojë më shpejt sesa në Europë. Ekonomistët po parashikojnë një kthim shumë më të shpejtë për ekonominë e Sh.B.A-së. “Trajektorët dhe profilet e pjesës ekonomike do të jenë të ndryshme”, tha znj. Mann. Sipas parashikimeve të fundit, ekonomia e SH.B.A-së do të ketë një rënie më të lartë në tremujorin e dytë. /Monitor/
/Bloomberg