Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë njëorëshe. Këtë e kishte propozuar deputeti i VV-së Rexhep Selimi.
Më pas, kryeparlamentarja Vjosa Osmani e ka miratuar dhe asnjë deputet nuk e ka kundërshtuar.
“Shkojmë në pauzë njëorëshe por ju lutem mos u vononi”, ka thënë Osmani.
Para shkuarjes në pauzë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se thyerja në koalicion nuk ka ndodhur shkaku i gjuhës apo komunikimit.
“Për shkak të gjuhës, për shkak të komunikimit, nuk ndodh thyerja. Çështja është braktisja e reciprocitetit dhe tarifa”, ka thënë ai.
“Po të ishte problem tek gjuha, atëherë Agim Veliu do të shkarkohej kur më quajti anti-amerikan”, ka thënë ai.
“LDK-ja ka pasur të dalë edhe më herët, sikur të mos ishte virusi korona. Gjithçka ka të bëjë me parimet. Unë nuk jam për ta braktisur reciprocitetin. Kemi garuar tek populli me reciprocitet, është marre me i thënë popullit se po e braktisim reciprocitetin”, ka thënë ai.
Kurti po ashtu ka thënë se Kosova është në një fazë emergjente, e cila edhe është shpallur.
“Sapo e kam marrë një letër nga komisioneri evropian, Oliver Varheliy”, ka bërë të ditur ai, duke e lexuar një pjesë të asaj letre.