Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur nënshkrimet për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Partia e cila ende është pjesë e kësaj Qeverie, ka siguruar më shumë se 40 nënshkrime për të thirrur seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.
Një gjë të tillë e ka konfirmaur për KosovaPress, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi i cili tha se këto nënshkrime do të dorëzohen sot në Kuvendin e Kosovës.
“Nënshkrimet janë të gatshme besoj që nëse nuk ka lëvizje nga kryeministri Kurti, në fund të orarit të punës do t’i dorëzojmë. Unë krejt çfarë mund të konfirmoj është se nënshkrimet janë mbledhur më shumë se sa që është e nevojshme”, deklaron Gashi.
Ai nuk tregon se sa nënshkrime janë gjithsej, megjithatë thotë se një gjë e tillë do të bëhet e ditur pasdite.
“Ju e dini që z. Mustafa ia ka dhënë një mundësi z.Kurtit, dhe nuk varet prej neve”, shton ai për KosovaPress.
Partia e Isa Mustafës i ka 28 deputetë, por siç është raportuar janë katër deputetë të cilën kanë kundërshtuar rrëzimin e qeverisë Kurti. 13 nënshkrime janë nga AAK-ja dhe 6 nga Nisma dhe AKR. PDK-ja ende nuk është deklaruar zyrtarisht nëse do ta mbështesë ose jo mocionin e LDK-së. Kjo parti e udhëhequr nga Kadri Veseli i ka 24 deputetë.