Mbledhja e mbi katër mijë nënshkrimeve, ndalon ndërtimin e fabrikës së çimentos në Klinë

Qytetarët e Klinës arritën të ndalojnë ndërtimin e fabrikës së çimenton në zonën kadastrale Dresnik, konkretisht në pjesën e fshatit Gremink, pasi një operator kishte marrë të gjitha pëlqimet dhe lejet nga organet kompetente lokale dhe ato qendrore për ndërtimin e saj.

Por vendosmëria e qytetarëve u pagua dhe përmes peticionit ka rezultuar me anulimin nga ana e Kuvendit Komunal të të gjitha pëlqimeve që u ka lëshuar Drejtoria e Urbanizmit operatorëve pretendues për ndërtimin e fabrikave të çimentos në atë zonë.

“Qytetarët fituan dhe ka ndodh diçka e mirë për Klinën. Angazhimi i qytetarëve ka dhënë rezultat dhe kauza e jonë ka fituar, pa pas nevojë për veprimet tjera të qytetarëve që mund të kishin qenë më radikale për të ndaluar ndërtimin e asaj fabrike”, është shprehur Ahmet Gashi nga fshati Gremnik, njëri prej organizatorëve të peticionit dhe përfaqësues i fshatrave Dresnik, Dollc dhe Gremnik, që shtrihen përreth zonës ku ishte në plan që të ndërtohet fabrika e çimentos, konkretisht në vendin ku para luftës ka qenë plantazhi i vishnjave i ish kombinatit bujqësor “Malizhgani” i Klinës.

Reklama e sponzorizuar

Qytetarët e Klinës kanë mbledhur mbi 4 mijë e 300 nënshkrime kundër ndërtimit të fabrikave të çimentos, dhe ky peticion është shqyrtuar të enjten në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal. I njëjti kishte miratuar unanim nga gjithë këshilltarët e gjitha subjekteve politike në Kuvend, një vendim më të cilin anulohen të gjitha pëlqimet dhe lejet ndërtimore të lëshuara nga Drejtoria e Urbanizmit për fabrika të çimentos, me të cilin anulohen të gjitha pëlqimet dhe lejet ndërtimore të lëshuara për të gjithë guroret që furnizojnë fabrikën e çimentos.

Me këtë vendim të Kuvendit, Drejtoria për Urbanizëm nuk mund të lëshojë më pëlqime nëse kërkesat apo propozimet për ato pëlqime të kësaj natyre nuk kalojnë nëpër Kuvendin Komunal. Gjithashtu me këtë vendim këto pëlqime nuk mund të jepen nëse nuk mbahet debat me qytetarët e komunës së Klinës.

Me këtë vendim të Kuvendit do të anulohen edhe lejet e operimit të të gjithë gurëthyesve që operojnë në atë zonë, deri sa të plotësojnë kriteret me të cilët obligohen në lejen e operimit.

Mirëpo ky anulimi i gurorëve hynë në fuqi tek pas 6 muajve, në rast se gjatë kësaj periudhe nuk i plotësojnë kriteret sipas lejeve të operimit.

“E mira gjithashtu është se është miratuar edhe masa disiplinore për gurthyes, të cilët janë të obliguar ta zbatojnë lejen që kanë marrë, sipas të cilës duhet të përdoret uji gjatë thyerjes së gurëve që të mos krijohet pluhur, si dhe të vendosen filtrat. E këtë, për të ulur koston, gurthyesit nuk e kanë bërë për shkak se ju ka kushtuar me marrë ujin diku dhe kishin pas shpenzime të ujit. Këto masa gurthyesit nuk i kanë përdor edhe për shkak të neglizhencë së shtetit për të reaguar, e kjo na ka kushtuar me ndotje të mjedisit. Pra gurthyesit duhet të nisin të përdorin ujin për thyerje të gurëve dhe të vendosin filtrat, përndryshe ju merret leja e operimit”, tregohet Gashi i kënaqur edhe me këtë pikë të vendimit që është sjellë, nga e cila ai shpreson që mjedisi nuk do ta paguajë më me ndotje nga qëllimet përfituese të gurthyesve.

Vendimin e Kuvendit, me një deklaratë publike, e ka përshëndetur edhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ndonëse ndërtimi i fabrikës së çimentos ka qenë njëri prej premtimeve të tij gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale në vjeshtë të vitit 2017.

“Asnjë pëlqim nga kushdo qoftë nuk është më i fuqishëm e i rëndësishëm se pëlqimi i qytetarëve. Është për t’u përshëndetur vendimi i kuvendit për anulimin e të gjitha pëlqimeve dhe dokumenteve tjera urbanistike që janë dhënë lidhur me gurorët për furnizim me lëndë të parë për fabrikën e çimentos. Po ashtu, me qëllim të rritjes së transparencës, debatet në lidhje me dhënien e pëlqimeve të natyrës së njëjtë do të organizohen në objektin e komunës dhe pëlqimet e natyrës së njëjtë do të shqyrtohen nga kuvendi. Ju siguroj të gjithë ju se çdo herë kërkesat e juaja do të dëgjohen me kujdes, shqyrtohen me profesionalizëm dhe do të përkrahen pa rezervë”, ka thënë Elezaj, me deklaratën e tij drejtuar qytetarëve të kësaj komune.

E ky vendim i sjellë nga Kuvendi Komunal, pritet të hyjë në fuqi tek pas 15 ditësh, pasi të konfirmohet ligjshmëria e tij nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Nëse brenda 15 ditësh nuk kthehet asgjë na ministria, nënkuptohet se ky vendim hyn në fuqi, duke e shpallë në gazetën zyrtare. Dhe pasi të hynë në fuqi, Drejtoria e Urbanizmit është e obliguar që për pëlqime dhe kërkesat e kësaj natyre ta njoftojë kuvendin, cili i shqyrton dhe i diskuton ato dhe nëse e sheh se nuk ka respektim të procedurave, kuvendi nxjerrë rekomandim për drejtorinë që të përmirësohen gabimet”, tha të premten për Kohën Ditore, kryetari i Kuvendit Komunal të Klinës, Fadil Gashi.

E këtë vendim që ka sjellë kuvendi është vlerësuar si vendim politik e jo profesional nga drejtori i Urbanizmit, Lorenc Marleku.

“Çdo vendim që merr kuvendi shkon në ministri për tu konfirmuar ligjshmëria e vendimit. Duhet të presim ligjshmërinë sepse këto në kuvend janë vendime politike e nuk është vendim i ekipeve të ekspertëve. Ato janë vendime jo profesionale se ata nuk janë profesionit. Tash duhet të pritet një herë konfirmimin e ligjshmërisë nga ministria”, tha Marleku për Kohën Ditore.

Zona për ku janë lëshuar pëlqimet është zonë minerare dhe për investime strategjike e përcaktuar nga ekipi i ekspertëve të Drejtorisë së Urbanizmit, dhe si zonë e tillë është e përfshirë në Planin Rregullues.

Në bazë të këtij plani siç tha Marleku edhe janë lëshuar pëlqimet nga drejtoria e tij.

Sipas tij, secili e ka përgjegjësinë e vet dhe punët e veta dhe se kjo drejtori ka qenë kompetente të lëshojë ato pëlqime. Marleku thotë se me siguri edhe në të ardhmen do të kenë kërkesa prapë për pëlqime të njëjta për në atë zonë. E në rast se ministria i jep dritë të gjelbër vendimit të kuvendit, atëherë Marleku nuk e përjashton mundësinë e ndryshimit të Planit Rregullues.

“Në rast se ministria e aprovon vendimin e kuvendit, atëherë duhet të shikohet se si do të bëjmë më tutje, e ndoshta na duhet ta ndryshojmë edhe planin rregullues”, ka thënë ai.