Rreth 650 punëtorë të minierës “Trepça” me flotacion në Stantërg dhe Tunel të Parë, janë duke bojkotuar punën që dy ditë, për shkak se nuk i kanë marrë pagat e shkurtit, ndërsa edhe pagat e janarit nuk u janë paguar të plota afër gjysmës së tyre.
Agim Hasani, minator, ka konfirmuar për KosovaPress se që dy ditë punëtorët kanë bojkotuar punën për shkak të pagave. Sipas tij, kjo po shkakton probleme pasi mbi 70 për qind e punëtorëve kanë kredi në banka, të cilat po i penalizojnë për shkak të vonesave.
Ai shtoi se punëtorët nuk do të punojnë derisa t’i marrin pagat.
“S’punohet prej ditës së djeshme nga ndërrimi i parë, faktikisht për shkak të rrogave. Prodhimi është dalë, dhe këtu kemi problem me rroga…Muajin shkurt s’është marrë rroga dhe një pjesë e punëtorëve nuk e ka marrë 40 për qind të rrogës edhe për muajin janar… Mbi 70 për qind të punëtorëve mund të them se janë në kredi, të cilat duhet t’i paguajmë deri më datë 10. Pas kësaj ne penalizohemi nga bankat, kështu që po kemi probleme… Derisa t’i marrim rrogat ne nuk punojmë”, ka thënë Hasani.
Ndërsa, Basri Ibrahimi, menaxher i përgjithshëm në Trepçë, ka potencuar koronavirusin si arsye kryesore të gjendjes së rëndë financiare në këtë ndërmarrje, për të cilin tha se ka bërë që tregu i metaleve dhe përpunimit të dekuilibrohet dhe ta ndryshojë krejtësisht gjendjen.
Në lidhje me situatën aktuale të rëndë, ai ka përmendur edhe disa faktorë tjerë, siç janë rënia e çmimeve të metaleve, pastaj ngritja e çmimit për përpunimin e tyre dhe të ngjashme.
“Dalëngadalë na goditën shumë elemente të cilat bënë që burimet financiare të jenë më të pakta. Nëse kishim me krahasuar me vitin e kaluar dhe këtë sasi që sot e kemi shitur, ne sot s’do të kishim pasur probleme financiare, sepse çmimet vitin e kaluar kanë qenë shumë më të larta. Një tonelatë zink vitin e kaluar ka qenë diku 3 mijë dollarë, ndërsa tani e kemi nën 2 mijë dollarë çmimin për një tonelatë zink… Për përpunimin e një tonelate zink për shembull, çmimi ka qenë 150 dollarë, ndërsa tani duhet të paguajmë 380 dollarë… Ndërsa për plumbin vitin e kaluar kemi paguar 125, ndërsa tani paguajmë 285 dollarë… Dhe arsyeja themelore është që fatkeqësisht koronavirusi në Kinë që shpërtheu, ka bërë që tregu i metaleve dhe përpunimit të tyre të dekuilibrohet dhe ta ndryshoj krejtësisht gjendjen. Sepse tani askush, Kina thuaja se është mbyllur, dhe askush nuk po merr koncentrat sepse s’po kanë ku të na i dërgojnë për përpunim, por as për të shitur kur dihet se Kina ës htë një treg i madh me nevoja të mëdha për metale. Prandaj, këto janë ato që na kanë goditur rëndë”, tha ai.
Ibrahimi tha se e ka të vështirë të parashikojë se kur do të zgjidhet ky problem, derisa u shpreh optimist se qeveria do ta mbështesë për të tejkaluar situatën e rëndë.
“Është shumë e vështirë që unë të parashikoj sot se kur do të zgjidhet ky problem, për shkak të fakteve që përmenda më lartë. Nuk e di se kur do të zhbllokohet Kina, kur do të ngrihen çmimet e metaleve, kur do të ulen çmimet e përpunimit të koncentratit, por unë shoh një zgjidhje që qeveria e Kosovës të na mbështesë që ta tejkalojmë këtë situatë…Vetëm pagat neto për Trepçën sh.a. janë 840 mijë euro, pagat bruto kalojnë mbi 1 milion euro…Jemi në kontakt të përhershëm me përfaqësuesit e qeverisë, dhe ata janë zotuar se do të na ndihmojnë dhe mbështesin me a q mundësi sa kanë”, theksoi për KosovaPress Ibrahimi.