Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka treguar ndjeshmëri për dramën e përballjes së kosovarëve me virusin vrasës COVID-19, që ka marrë hov këtë javë, e i cili ka prekur deri tash 63 qytetarë dhe ka marrë jetën e parë.
Kjo parti ka vendosur që në këtë kohë të luftës me virusin që ka bërë kërdi në shumë vende të botës, ta shembë Qeverinë nëpërmjet një mocioni mosbesimi, duke u bërë e shurdhër kështu edhe ndaj thirrjes që qytetarët janë duke e shprehur nëpërmjet protestave nga ballkonet e shtëpive secilën natë, ndaj kërkesës së shoqërisë civile, e edhe ndaj një apeli që ia kanë bërë shumë shtete, përfshirë ato të QUINT-it, e një demarshi të shteteve me më ndikim në Evropë – Gjermanisë dhe Francës, shkruan KOHA.
Me katër vota për dhe dy kundër, Kryesia e Kuvendit ka vendosur të martën që seanca për shqyrtimin dhe votimin e mocionit të mbahet të mërkurën në orën 11:00. Ka vendosur kësisoj, përkundër vendimit të Qeverisë që ka ndalur lëvizjet e qytetarëve dhe përkundër konstatimit të institucioneve shëndetësore se salla plenare e Kuvendit nuk i plotëson kushtet për zbatimin e rekomandimeve për ta mbajtur distancën prej dy metrash, me qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e cila është deputete e LDK-së, ka bërë thirrje që mocioni të mos votohet.