Kosova së shpejtit pritet të sigurojë barnat, të cilat besohet se kanë dhënë sukses në trajnimin e pacientëve të prekur me COVID-19.
Në një konferencë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se pas informacioneve se dy barnat Remdesivir dhe Piravir kanë dhënë rezultatet tek disa pacientë në Itali dhe shtete të tjera, ata pritet që përmes ambasadave, si ajo e Japonisë dhe distributorëve të sigurojnë këto barna edhe për Kosovë, raporton KOHA.
Janë 830 qytetarë të Kosovës, sipas ministrit të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, që kanë kërkuar të kthehen në vend.
Por, ai ka kërkuar që të kthehen vetëm ata që kanë emergjenca.
Abdixhiku ka folur edhe për furnizimet me mallra dhe lehtësirat financiare që do t’u mundësohen bizneseve gjatë kësaj kohe.
Këtë të enjte, zëvendësministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjithashtu, ka aktivizuar planin e reagimit kombëtar mbi menaxhimin e situatës emergjente, pjesë e së cilës do të jenë shumë ministri e institucione.
Kurse, ministri Vitia ka paralajmëruar masa ndaj të gjithë atyre që nuk i respektojnë rekomandimet e dala deri më tani.
Është bërë e ditur se Instituti i Shëndetit Publik ka në stok vetëm edhe 1.000 mostra për testime për koronavirus dhe se së shpejti do të sigurohen edhe të tjera.