Qeveria Kurti ka në plan që gjatë 2020-s t’i hartojë 118 projektligje, me disa prej të cilave plotësohen dhe ndryshohen ligjet ekzistuese. Prioritet të lartë i ka dhënë finalizimit të Pakos ligjore kundër korrupsionit.
Mbështetur në një draft të Programit legjislativ, të cilin e ka siguruar “Koha Ditore” të mërkurën, deri në fund të qershorit do të procedohet Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, e edhe Projektligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ndërkaq, një muaj më parë, edhe Projektligji antimafia, përkatësisht ai për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Që të tria do të sponsorizohen nga Ministria e Drejtësisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ministrja Albulena Haxhiu ia ka konfirmuar këtë gazetës dhe ka thënë se arsyeja pse Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk ndodhet i listuar në draftin e Programit legjislativ, është se ende nuk është miratuar konceptdokumenti për të.
“Në kuadër të prioriteteve tona do të procedohet edhe Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Planifikimet tona janë që ky të procedohet në maj”, i ka thënë gazetës ministrja Haxhiu. “Tani kemi gati finalizimin e konceptdokumentit”.