Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi, e ka kritikuar thirrjen e kësaj seance për buxhetin, duke thënë se do të duhej të diskutohej për koronavirusin.
“Seanca e sotme do të kishte kuptim nëse do të diskutonim për situatën e përhapjes së koronavirusit. Prioriteti juaj duhet të jetë parandalimi i përkeqësimit të situatës me koronavirus dhe për masat që disa janë marrë me vonesë. Në vend që ta sillni një plan nacional për këtë pandemi, ju po synoni ta keqpërdorni situatën e krijuar për këtë pandemi. Miratimi i buxhetit në mënyrë klandestine është i paarsyeshëm. Vonesat janë përgjegjësi e juaja. Është një buxhet i keq që nuk i adreson kërkesat e qytetarëve e as premtimet e juaja. Në emër të GP të PDK-së çdo vendim e çdo veprim te drejtë për trajtimin e pandemisë keni mbështetjen e plotë. Buxheti duhet të miratohet me procedura të rregullta. Mos e përdorni situatën për të kaluar buxhetin i cili nuk lidhet me virusin”, tha Krasniqi, raporton Koha.
Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, po ashtu pati kritika për situatën e krijuar.
Ai tha se në Viti dhe Klinë, që janë në karantinë, nuk ekzistojnë as gjërat elementare.
“Aleanca do të përkrahte ndonjë fond që është i ndarë nga projekt buxheti. Ndërsa buxheti është masakër që nuk është lënë asnjë projekt pa prekur. Sot shumica e kolegëve të mi që janë mjekë kanë marrë thirrje nga qytetarët ku ende nuk është parë dora e shtetit. Nëse e shihni si funksionojnë në Klinë apo Viti nuk i kanë as gjërat elementare. Nëse ka ndonjë fond të veçantë për krizën me virusin Aleanca është për”, tha Haradinaj, raporton KOHA.
Edhe Fatmir Limaj u shpreh kundër votimit të buxhetit në gjendjen aktuale.
“Ne do te jemi të gatshëm për të mbështetur qeverinë për të marrë masa kundër virusit. Seanca e jashtëzakonshme është e pandershme. Sot qeveria po mundohet ta shfrytëzojë situatën e jashtëzakonshme për ta përvjedhë buxhetin. Nuk mund të shfrytëzohet kjo situatë për te mbytur debatin. Po na kërkohet me votu buxhetin pa e parë ne programin e qeverisë”, tha Limaj.