Evropa është shndërruar në epiqendrën e re të pandemisë së koronavirusit. Kjo ngase rastet e infektimeve dhe vdekjeve në Kinë janë ngadalësuar, teksa ato në Itali dhe vendet e tjera janë rritur drastikisht, ka bërë të ditur të premten Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Më shumë raste tani po raportohen çdo ditë në Evropë, sesa që u raportuan në Kinë në kohën e pikut të epidemisë”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, gjatë një konference speciale për shtyp, raporton KOHA.
OBSH-ja e shpalli Covid-19 pandemi globale të mërkurën, pasi që virusi me prejardhje nga Kina është përhapur kudo në botë, nga Azia në Evropë, Lindje të Mesme dhe më pas edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si pasojë e panikut të krijuar, vendet përgjatë Evropës kanë nisur të zbatojnë kufizime në kufij. Ndërsa Bashkimi Evropian, gjatë një takimi emergjent në Bruksel, ka kërkuar që çdo kufizim kufitar i vendosur përbrenda zonës Schengen të Bashkimit Evropian, të jetë i koordinuar dhe të mos jetë kundërproduktiv.
Vendet e fundit që mbyllën kufijtë të premten ishin Republika Çeke dhe Sllovakia, ndërsa Austria ka vendosur që t’ua ndalojë hyrjen udhëtarëve që vijnë nga Italia.
Ndërkaq Spanja ndërmori masa më drastike, duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe duke i vendosur në karantinë katër qytete. Ka urdhëruar, po ashtu, ndalimin e fluturimeve nga Italia, shkaku i rritjes së numrit të rasteve me infektime gjatë ditëve të fundit. E gjendje të jashtëzakonshme ka paralajmëruar të zbatojë edhe SHBA-ja.
Italia veç është në bllokadë të tërësishme qysh prej së martës. Teksa në Ballkan, qeveria në largim e Maqedonisë së Veriut njoftoi se do ta ndalojë hyrjen e të gjithë shtetasve të huaj që vijnë nga “vendet me rrezik të lartë”.
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar investime prej 37 miliardë eurosh për mbrojtjen e ekonomisë së bllokut nga pasojat e shkaktuara prej koronavirusit.
Tani, më shumë se 125 mijë persona janë diagnostikuar me Covid-19 në afro 120 shtete të botës. E të premten, numri i të vdekurve nga koronavirusi ka kaluar 5-mijëshin, kanë konfirmuar qendrat që merren me statistikat e kësaj pandemie.