Policia arreston shtatë persona për mosrespektim të masave të Qeverisë kundër koronavirusit

Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë persona për 24 orë për shkak të mosrespektimit të masave të Qeverisë të marra për të ndalur përhapjen e koronavirusit.

Katër nga ta janë arrestuar pasi janë parë duke punuar nëpër lokalet e tyre, pavarësisht vendimit të Qeverisë për mbyllje.

Në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, një person ishte arrestuar pasi ishte parë duke punuar në lokalin e tij. I njëjti është dërguar në mbajtje.

Reklama e sponzorizuar

Një tjetër ishte arrestuar në rrugën “Haxhi Zeka” në Vushtrri pasi ishte hasur në lokalin e tij duke punuar. Në këtë lokal ishin edhe disa persona për çka janë njoftuar edhe inspektorët komunalë. I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Sipas raportit 24-orësh të policisë, arrestime për këtë vepër ka pasur edhe në rrugën “Skënderbeu” dhe në fshatin Pestovë në Vushtrri. Të dy të arrestuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Dy persona të tjerë janë arrestuar sepse nuk respektuan masën e vetizolimit pasi një ditë më herët kishin hyrë në Kosovë nga Serbia dhe ishin udhëzuar të vetizolohen. Sipas njoftimit, të dyshuarit janë kontrolluar nga ekipi mjekësor dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti ka ndodhur në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë.

Një person është arrestuar në Vërmicë të Prizrenit pasi “s’kishte zbatuar masën e caktuar si preventivë e masave të ndërmarra kundër COVID-19”. Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.