Pranon Vitia: Jemi në rezervat e fundit, ato do të shkojnë në Stubëll

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se janë në rezervat e fundit të materialit mbrojtës të siguruar.

Ai tutje në konferencë ka shtuar se gjithë ai material i mbetur do të shkojë në Viti e Klinë, zona këto të cilat kanë hyrë në karantinë që nga mbrëmë.

“Sa i përket Vitisë dhe Klinës dje jam dëgjuar me kryetarin e këtij të fundit, në procedurën që kemi zhvilluar më herët kemi siguruar material 100 mijë euro, ku jemi në rezervat e fundit të këtij materiali dhe sot në takimin që kishim nga ora 10:00 me Komitetin, kemi udhëzuar që rezervat të shpërndahen në këto komuna”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Ai tutje ka shtuar se ndihmë për mjetet mbrojtëse nuk mund të marrin as nga shtetet tjera, pasi të gjtiha vendet kanë mungesë të tyre, raporton KOHA.

“Me shumë miq ndërkombëtarë që kemi folur na kanë siguruar çfarëdo ndihme por jo edhe për masat mbrojtëse”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se të gjithë personat të cilat kanë pasur kontakte me të infektuarit, janë testuar, disa nga ta kanë dalë negativë, një pozitiv, e disa të tjerë janë duke u testuar ende.

Ai ka shtuar se javën tjetër pritet ri furnizimi me mjetet mbrojtëse.

Duke folur për ngritjen e çmimeve, ai ka thënë se disa nga operatorët e kanë shfrytëzuar këtë situatë. Sipas tij, ndaj tyre do të merren të gjitha masat.

Ndërkaq për zgjedhjet në Podujevë, Naser Ramadani, ka thënë se kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe kanë udhëzuar KQZ-në se si të mbrohen votuesit.

“Procedurat e zgjedhjeve në Podujevë kanë qenë të parapara më herët dhe kanë mundur të ndërpriten në çdo moment nëse do të rrezikoheshim për shpërndarje të sëmundjes. Të gjitha masat janë ndërmarrë, KQZ-së i janë dërguar të gjithë udhëzuesit. Sot është heshtje zgjedhore, nuk kemi mundur dje ta parandalojmë fushatën. I kemi dhënë rekomandime KQZ-së që votuesit të mbajnë distancën nga njëri-tjetrit”, ka shtuar ai.

Ai tutje ka shtuar se garantojnë se nuk do të rrezik nga këto zgjedhje.