Qeveria Kurti ka paralajmëruar se pavarësisht ndalimit ose jo të fushatës së çnjohjeve nga Serbia, më 1 prill do të vendoset masa e reciprocitetit. Kjo masë pritet të vendoset pak ditë pas vendimit për heqjen e tarifës prej 100 për qind për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, e cila, sipas Qeverisë së Kosovës, është marrë mbi bazën e “vullnetit të mirë”.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se masat e reciprocitetit të cilat deri më 1 prill do të vendosen nëpërmjet një vendimit të ri nga Qeveria janë në kuadër të parimit të reciprocitetit, i cili është parim thelbësor mbi të cilin ndërtohen marrëdhëniet në mes shteteve, raporton Koha.net.
“Reciprociteti parashihet të vendoset, pavarësisht zotimeve të Serbisë për ndalimin apo jo të fushatës së çnjohjeve. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e sheh reciprocitetin si masë kundërvënëse ose hakmarrëse, por si parim i marrëdhënieve bilaterale të shëndosha dhe konstruktive”, ka thënë Kryeziu.
Kjo masë e ndryshon planin që kishte shpalosur kryeministri Albin Kurti më 27 shkurt, në të cilin kishte propozuar heqje graduale dhe të kushtëzuar të tarifës ndaj Serbisë. Ai e kishte ftuar Serbinë që si përgjigje ndaj vendimit të palës kosovare për heqjen e tarifës për lëndën e parë të zotohet për ndërprerje të fushatës për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisë me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.