Sa jemi larg një vaksine kundër koronavirusit

Koronavirusi po shpërndahet shpejt në botë dhe akoma s’ka ilaçe që e mbysin ose vaksina që mbrojnë nga ky virus.

Hulumtimet për vaksinën që ndal koronavirusin po zhvillohen shpejtë, por sa jemi larg një vaksine të tillë? Aktualisht janë më shumë se 20 vaksina që po zhvillohen. Një tashmë ka nisur të testohet në njerëz duke shmangur hulumtimet e para në kafshë.

Shkencëtarët tjerë janë në fazën e testimit në kafshë dhe shpresojnë që të marrin rezultatet e testimeve në njerëz më vonë gjatë vitit. Por edhe nëse shkencëtarët mund të festojnë zhvillimin e një vaksine këtë vit, akoma ka shumë punë për t’u bërë që ajo të jetë në dispozicion për prodhim në masë të madhe. Kjo nënkupton që vaksina nuk do të jetë e gatshme deri së paku kah mesi i vitit të ardhshëm.

Reklama e sponzorizuar

E gjithë kjo po ndodh në një kohë të paparë deri tash dhe duke përdorur përpjekje të reja për arritjen e vaksinave, andaj s’ka garanci se rezultati do të jetë i suksesshëm, shkruan BBC. Janë katër viruse që qarkullojnë në qeniet njerëzore. Shkaktojnë sëmundjen e njëjtë e s’ka vaksina për asnjërin.

A do t’i mbrojë vaksina të gjitha moshat?

Një vaksinë kundër koronavirusit do të mbrojë të gjithë, por do të jetë më pak e suksesshme te të moshuarit. Kjo jo për shkak të vaksinës, por sepse sistemi imunitar i të moshuarve nuk i përgjigjet mirë imunizimit. Kjo shihet çdo vit me gripin sezonal.

A do të ketë efekte anësore?

Të gjitha ilaçet, përfshirë ato kundër dhimbjeve, kanë efekte anësore. Por pa ndonjë testim të ilaçit do të ishte e pamundshme të dihet se çfarë efekte anësore do të kishte një vaksinë kundër koronavirusit. Për këtë, BBC thotë se institucionet në botë duhet të kenë vëmendje.

Kush do të merrte një vaksinë?

Nëse zhvillohet një vaksinë do të kishte sasi të limituar, ose së paku në fillim. Stafi shëndetësor që ka pasur kontakte të vazhdueshme me pacientët e infektuar me Covid-19 do të ishte në krye të listës së atyre që duhet të vaksinohen. Sëmundja është më vdekjeprurëse te të moshuarit andaj do të ishte prioritet edhe kjo gjeneratë.

Ilaçet

Doktorët janë duke testuar ilaçet aktuale anti-virale për të parë nëse funksionojnë kundër koronavirusit. Kjo përshpejton hulumtimin pasi tashmë dihet se janë të sigurta për njerëzit.

Testimet po bëhen në spitale në vendet e prekura nga virusi, por në shkurt, Dr. Bruce Aylward, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se “është vetëm një ilaç aktualisht për të cilin mendojmë se mund të ketë sukses dhe ky është remdesiviri”.

Ai ishte krijuar si një ilaç kundër Ebolas, por duket se mbyt disa lloje virusesh. Gjithsesi, akoma s’janë bërë të gjitha testimet për këtë. Ka pasur shpresë se edhe ilaçet kundër HIV-it do të kishin sukses, por testimet kanë rezultuar zhgënjyese. Ka interesim edhe në ilaçet kundër malarias.

Derisa të vijë vaksina, çfarë duhet të bëhet?

Vaksian parandalon infeksion dhe mënyra më e mirë për këtë momentalisht është që të kemi higjienë të duhur.

Nëse jeni të infektuar me koronavirus, për shumicën ky do të ishte infeksion i lehtë dhe mund të trajtohet në shtëpi me pushim, paracetamol e shumë lëngje. Disa pacientë pësojnë më keq dhe u duhet ndihmë mjekësore