Sekretariati i Energjisë shpreson që “Kosova e Re” të mos ndërtohet

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë shpreson që institucionet e Kosovës të heqin dorë nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, për shkak se kjo rrit çmimin e energjisë.

Drejtori i këtij institucioni, Janez Kopac, gjatë prezantimit të raportit Implementues për vitin 2019 për Kosovën, para Komisionit parlamentar për Ekonomi, tha se Bashkimi Evropian do të vendosë një taksë për qymyr dhe se kjo do të ndikojë që çmimi i energjisë të jetë shumë më i lartë sesa aktualisht.

“Çmimi juaj nga KEK-u që është rreth 35 euro për megavat orë, do të rritet edhe për 25 euro. Pra, imagjinoni sa do të jetë çmimi, do të paguani dyfishin e çmimit për megavat orë. Njerëzit nuk do të reagonin mirë”, ka thënë Janez Kopac.

Reklama e sponzorizuar

BE-ja, sipas tij, ka vendosur që të dekarbonizojë ekonominë e vet deri në vitin 2050 dhe kjo do të thotë se nuk do të lejohet më ndërtimi i termocentraleve të reja.

“Nuk do të ketë asnjë termocentral të ri në Evropë që përdor qymyr. Të dy të fundit që po ndërtohen aktualisht janë Tuzla dhe Kostolac B ose C që po bëhen me para kineze. Por, ky është i fundit. nuk do të ketë termocentral shtesë” , shtoi Kopac.

Ka kritikuar edhe institucionet për moskompletim të bordit të KOSTT-it dhe ZRRE-së. Por, për këtë kryetari i komisionit, Endrit Shala, tha se kanë filluar punën.

“Ne ju sigurojmë që para prillit t’i përfundojmë të gjitha obligimet që na vijnë, te funksionimi i bordeve”, tha Endrit Shala, Kryetar i Komisionit.

Më 30 prill pritet që të mbahet seanca dëgjimore në të cilën pritet që Qeveria e Kosovës të përballet me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, lidhur me procedurat e zbatuara për projektin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”.

Ndërkohë, në Komision parlamentar ka raportuar edhe Bordi i ZRRE-së lidhur me procesin e tarifave. Por, ata nuk kanë preferuar që të flasin se a do të ketë rritje të çmimit të energjisë apo jo, pasi kanë thënë se janë në fazën konsultative dhe nuk dëshirojnë që të paragjykojnë se cilat do të jenë përfundimet.